Gazetar: Zekirija Haxhiu
Kreu i LSDM-së Venko Filipçe i quan si nënçmuese deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski se gjykatësit dhe prokurorët nuk meritojnë paga më të larta dhe se mbrohen nga BDI-ja dhe LSDM-ja. Siç thotë Filipçe, vet Mickoski është fajtori kryesor përse sundimi i ligjit nuk është përmirësuar. Kjo, siç sqaron kreu i socialdemokratëve, për shkak se Qeveria nuk ka miratuar asgjë nga agjenda reformuese, respektivisht nuk i ka miratuar 12 ligjet që duhej të miratoheshin këtë vit.
“Deklarata të tilla për gjykatësit unë konsideroj se janë nënçmuese, për profesionistë të cilët i përkasin një pushteti të pavarur. Qeveria është ajo që duhet zbatojë proceset që ai segment të përforcohet. Absolutisht kjo duhet të jetë prioritet”, Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Paraprakisht edhe nga shoqata e gjykatësve edhe nga shoqata e prokurorëve, thanë se pagat e tyre janë më të ulëtat në rajon dhe se nuk mjaftojnë. Numri më i madh i gjykatësve mezi arrijnë deri në 86,000 denarë thonë nga shoqata e gjykatësve. Por nga VMRO-DPMNE u bëjnë me dije se në vend se të flasin për rritje të pagave, le të ndërmarrin hapa konkretë për të luftuar korrupsionin. Përndryshe si presin që qytetarët të rrisin besimin në drejtësi nëse fajtorët ngelin të pa ndëshkuar, pyesin nga VMRO.
“Për shembull, le të fillojnë me Naqe Gjorgjiev, gjykatës suprem dhe kryetar i Këshillit Gjyqësor dhe Ixhet Memeti, prokuror publik dhe zv.kryetar i këshillit të prokurorëve publik. Njerëz të cilët pranuan se kanë marrë ryshfet prej 10,000 euro për ndikim mbi vendime gjyqësore, me çka njëri arriti marrëveshje, e tjetri mori vetëm dënim me kusht. Kjo është dëshmi për sistemin e LSD-së dhe BDI-së”., njoftojnë nga VMRO-DPMNE.
Sa i përket agjendës reformuese dhe planit për rritje, respektivisht gjashtë ligjeve që kanë të bëjnë me gjyqësinë dhe prokurorinë, Mickoski siguroi se do të miratohen të gjitha përpos ajo që kërkon rritje të pagave për prokurorët dhe gjykatësit. Mickoski paralajmëroi se pas zgjedhjeve lokale, do të fillojë pastrimi i mbetjeve në shërbimet prokurori-gjyqësor me çka do të hapen hapësira për punësime të reja. /Alsat.mk



