Gjyqi ndaj kryebashkiakut të Vaut të Dejës, dëshmitari Anton Lumi mohon njohjen me Kristjan Shkrelin! SPAK: Dha dëshmi tjetër gjatë hetimit! Avokatja: Procesi po bëhet qesharak

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në ngarkim të kryebashkiakut të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, nën akuzë për korrupsion në zgjedhje, po vazhdon me dëgjimin e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria e Posaçme. 


Gjatë seancës, Dëshmitari Anton Lumi këmbënguli se nuk e njeh Shkrelin, ndërsa tregoi detyrat e tij si elektricist për linjat elektrike në fshatrat e Shkodrës. Avokatja e Shkrelit tha se ai ka shkruar vetëm telat, duke shtuar se procesi gjyqësor po bëhet qesharak sepse, sipas saj, kryebashkiaku nuk ka kryer asnjë krim për sa kohë u ka ofruar mbështetje financiare banorëve për nevojat e tyre, ndërsa investimi është kryer nga OSHEE.

Por, prokurori i SPAK, Dritan Prençi kundërshtoi dëshmitarin Anton Lumi, duke thënë se ai ka dhënë dëshmi tjetër gjatë fazës së hetimeve.

“Dëshmitari ka dhënë tjetër deklaratë gjatë hetimit paraprak”, u shpreh Prokurori Prençi.

Prokuroria kundërshtoi gjithashtu pjesërisht edhe dëshminë e një dëshmitari tjetër Klaudio Fusha, duke theksuar se ka deklaruar ndryshe gjatë hetimit.

Një tjetër dëshmitar, i punësuar si elektricist pranë OSHEE, tregoi se mbulonte si elektricist disa fshatra. I pyetur nga SPAK nëse ka qenë në dijeni për ndonjë remont të këtyre linjave në fshatin Stajkë, ai tha që s’e mbante mend.

SPAK: A jeni ju në dijeni për ndonjë remont të këtyre linjave në fshatin Stajkë. Në maj 2026 kanë qenë zgjedhjet, a mund ta lidhni nëse keni punuar para apo pas zgjedhjeve?

Dëshmitari: S’e mbaj mend hiç. Mua më çoi shefi im Jetmir Deda për të shtruar një kabull, tetori ka qenë fillimi i punës. Aty kishte dhe vendalinj dhe të OSHEE, kishte edhe elektricistë të tjerë.

SPAK: Ju çfarë pune do bënit?

Dëshmitari: Do shtrija kabull

SPAK: Çfarë problematikash kishte kjo linjë?

Dëshmitari: Nuk e di, nuk kam dijeni.

Avokatët e kryebashkiakut: Kush ju urdhëroi juve të punoni për remont në fshatin Stajkë?

Dëshmitari: Jetmir Deda

Avokatët: Kjo është rutinë?

Dëshmitari: Po po

Avokatët: Kristjan Skrelin a e njeh?

Dëshmitari: As e njoh, as kam folur me të.

Avokatja: Çfarë veprimesh keni bërë atë ditë?

Dëshmitari: Shtroj kabëll me këmbaleca

Avokatja: OSHEE rajoni Shkodër a disponon mjete të tilla me vinç fadromë?

Dëshmitari: Nuk e di, në qendër kam parë si këto mjete.

Avokatët: Duke qenë se prokurori pyet a ka shtrirë apo jo kabllin, dhe ky proces u bë me shtrirje kablli, unë nuk kam pyetje tjetër për dëshmitarin.

SPAK: Kërkoj kundërshtimin e pjesshëm të dëshmisë së dëshmitarit Klaudio Fusha sepse ai ka deklaruar ndryshe gjate hetimeve paraprake për mjete. Ja lë më çmim gjykatës.

DOSJA NDAJ KRISTJAN SHKRELIT

Kristian Shkreli është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, pasi dyshohet se në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit bleu vota për subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.

Nga hetimet e SPAK, është evidentuar se Shkreli ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të PSD-së, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe duke u kërkuar banorëve të kësaj zone votimin për subjektin politik të preferuar prej tij, Partinë Socialdemokrate.

Kujtojmë që Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim në GJKKO dosjen për Shkrelin në fund të tetorit 2025. Ndaj tij, SPAK ka ngritur akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.

“Gjatë fushatës zgjedhore, Kristian Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në Bashkinë Vau Dejës, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë. Gjatë hetimit është evidentuar se i pandehuri ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të këtij subjekti politik, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe duke u kërkuar banorëve të kësaj zone votimin për subjektin politik të preferuar prej tij, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë.”, thuhej në njoftimin e SPAK.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme