Ka nisur seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa dhe të pandehurve të tjerë.
Mësohet se kryebashkiaku nuk është i pranishëm në seancë por përfaqësohet nga avokati i tij, ish deputeti i PS-së, Plarent Ndreca. Drejtoria e Burgjeve nuk e ka zbatuar urdhrin e gjykatës për shoqërimin e tij.
Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen në ngarkim të Veliajt, bashkëshortes Ajola Xoxa, edhe 28 personave e shoqërive më 9 shkurt. Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest prej 10 shkurtit 2025.
Ndaj tij janë ngritur akuzat për korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Për rastet e korrupsionit, SPAK thotë se ai ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme nga disa kompani, të cilat kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga bashkia.
Edhe bashkëshortja Ajola Xoxa akuzohet për korrupsion pasiv në 9 raste dhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.
Biznesmenët e përfshirë akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. E pandehur në këtë dosje është edhe ish-deputetja socialiste Klotilda Bushka, e cila akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.



