Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka folur për mediat lidhur me dosjen e Gërdecit, ku ai është nën hetim.
Nga ambientet e jashtme të GJKKO, Mediu tha për mediat se dëshmitarët u thirrën formalisht, ndërsa deklaroi se prokuroria duhet të provojë përgjegjësinë e ministrit.
“Dua të theksoj se ashtu siç u procedua me pjesën më të madhe të dëshmitarëve që u sollën formalisht edhe sot në paraqitjen e provave shkresore, prokuroria bie atë volum shkresash pa përcaktuar qartë përgjegjësitë e ministrit në shpërdorimin e detyrës.
U tha se ishte salduar një karrocë. I kërkuam prokurorisë që të na thotë se ku është përgjegjësia e ministrit në kuadër të shpërdorimit të detyrës. Nëse nuk hyhet në thelb të së vërtetës, mendoj se është një proces që të kalohet te procesi i radhës. Sikur duan që të mbarojë seanca shpejt. Se çfarë ka ndodhur në Gërdec, njerëzit e dinë, se çfarë ka bërë ministri, atë duhet të faktojnë. Unë duhet të analizoj ekspertizën e amerikanëve. Ata kanë lënë 5 shkaqe në fuqi. Nuk u bë herën e parë, ndaj mendoj se duhen marrë në konsideratë të gjitha gjërat. Nuk merret ministri me çështjet e kalibrave. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm duhet të japë versionin e tij. Nuk është e vështirë që të gjendet adresa e tij në SHBA.”, tha Mediu.



