Mbi 27 vjet pas një prej krimeve më të rënda të luftës në Kosovë, ka nisur gjyqi ndaj ish-zyrtarëve serbë të akuzuar për masakrën e Reçakut.
Sipas aktakuzës, forcat serbe bombarduan fshatin Reçak, më pas kontrolluan shtëpitë dhe ekzekutuan nga afër 42 civilë të paarmatosur. Prokuroria thekson se viktimat nuk humbën jetën gjatë luftimeve, por u vranë në ekzekutime të qëllimshme, të planifikuara dhe sistematike. Të pandehurit akuzohen se kanë planifikuar dhe zbatuar sulmin.
Mes të akuzuarve janë: ish-shefi i Shërbimit Sekret serb, Radomir Marković; ish-gjenerali i policisë për njësitë speciale, Goran Radosavljević.
Asnjëri prej tyre nuk u paraqit personalisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani Hajra, deklaroi se procesi do të vazhdojë edhe në mungesë të tyre. Të akuzuarit përfaqësohen nga avokatë të caktuar nga Oda e Avokatëve.
Serbia vazhdon ta mohojë edhe sot se në Reçak është kryer një masakër ndaj civilëve. Presidenti serb Aleksandar Vuçić ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se të vrarët ishin luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Pas tërheqjes së forcave serbe, si pasojë e bombardimeve të NATO-s, në Kosovë u vendos një forcë paqeruajtëse ndërkombëtare. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, por Serbia vazhdon të mos e njohë atë.
Në qershor të këtij viti, pesë serbë të tjerë të Kosovës u arrestuan për përfshirje të dyshuar në vrasjet e Reçakut. Ndaj tyre pritet të zhvillohet një proces gjyqësor i veçantë.
Gjatë luftës në Kosovë (1998–1999) u vranë më shumë se 13.000 njerëz, shumica dërrmuese prej tyre shqiptarë të Kosovës.



