Grupi i gjykatësve në Gjykatën Supreme i ngarkuar për vlerësimin e lëndës “Monstra” pas rrethanave shtesë që dolën nga përgjimet ka votuar pro rikthimit të rastit në Gjykatën Themelore. “Për” këtë vendim, siç mëson Alsat M, kanë votuar që të pesë anëtarët e grupit të gjykatësve: Jovo Vangellovski, Rahillka Stojanovska, Risto Katavenovski, Xhemali Saiti, Faik Arsllani, dhe Shpend Devaja.
Gjykata Supreme solli vendim që lënda e njohur si “Monstra” me të cilën ankesat e mbrojtjes janë pranuar, kurse vendimi i shkallës së parë dhe shkallës së dytë janë shfuqizuar dhe lënda është kthyer në gjyqin e shkallës së parë për vendim të dytë. Në rrjedha është procedura për publikimin e aktgjykimit dhe për këtë opinioni do të njoftohet në mënyrë plotësuese- bëhet me dije nga Gjykata Supreme.
Vendimi nuk precizon nëse të akuzuarit do të mbrohen në liri ose do të mbesin në paraburgim. Që lënda e rastit “Monstra” të rikthehet nga fillimi javë më parë u paralajmërua nga prokurorja Liljana Spasovska, e cila udhëhiqte lëndën. Duke marrë për bazë ankesat e mbrojtjes dhe njëkohësisht duke kryqëzuar provat me rrethanat, por edhe më dëshmitë e siguruara nga materialet e përgjuara, Spasovska kërkoi javë më parë që një organ më i lartë të vendoste për fatin e kësaj lënde. Familjarët e të akuzuarve në këtë rast thonë se me rikthimin e rastit Monstra për rishqyrtim në Gjykatën Themelore shtohen gjasat për një përfundim pozitiv në favor të të akuzuarve.
Ne si familjarë, unë si nënë veçanërisht, pres të bëhet mirë. Ne çdo ditë jemi me të dhe presim që djali të na lirohet, mendoj dhe jam optimiste se do të lirohet. Vështirë, shumë vështirë mirëpo i përballova dhe jam krenare që djalin e kam atje e pa faj është, kam qenë shumë e brengosur për djalin dhe më ngacmonte ajo që djalin e kam pa faj mirëpo prapë se prapë drejtësia do të dalë në shesh, do të zbardhet një ditë, drejtësia, jam e bindur që do të dalë- deklaroi Ibadete Luta, nëna e Sami Lutës.
Duke e ditë se jemi të pafajshëm gjithmonë shpresat i kemi pasur se një ditë do të zbardhet rasti dhe do të jetë pozitive në anën tonë. Kohët e fundit e presim afatin, se është afruar afati i dymujorshit kur kërkon prokurorja e rastit që rasti të rikthehet në rishqyrtim dhe dy vendimet të anulohen. Ne nuk ndërhymë në vendimin e Këshillit të Gjykatës Supreme por ne presim një gjë pozitive. Nga 2015 që lënda është në Gjykatën Supreme dhe tash po bëhet 2018 e ne ende nuk kemi një vendim zyrtar- deklaroi Bedri Hajdari.
Për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës në vitin 2012, me burg të përjetshëm u dënuan 6 persona nën akuzën për vepër terroriste.