Në Shqipëri një operacion i Policisë dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, çoi sot në goditjen e një grupi kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike e që kishte aktivitet në disa shtete.
Në pranga përfunduan 13 persona, ndërkohë që 4 të tjerë, mes të cilëve dhe Met Kanani, i dyshuar si kreu i grupit, ishin arrestuar më parë në Turqi, marsin e vitit të kaluar, ndërsa një tjetër në Maqedoni.
Sipas autoriteteve shqiptare, veprimtaria e grupit shtrihej në Shqipëri, Turqi dhe vende të Bashkimit Evropian.
“Dyshimet ishin se ky grup kriminal vepronte në linjat e trafikimit të heroinës, Turqi – Greqi – vendet e BE-së, si dhe Turqi – Maqedoni – Shqipëri – vendet e BE-së. Një tjetër aktivitet kriminal, i zbuluar nga hetimet, ishte trafikimi i kokainës nga vendet e Amerikës Latine përmes vendeve të Ballkanit në Shqipëri dhe vendet e BE-së”, shpjegohet në njoftimin zyrtar.
Hetimet ndaj këtij grupi kanë nisur në shkurt të vitit 2017. Autoritetet shqiptare thanë se gjatë hetimeve “është shkëmbyer informacion me autoritetet policore të Greqisë, Turqisë, Maqedonisë, Italisë me ndërmjetësimin e DEA-s, SELEC dhe oficerëve të kontaktit të vendeve respektive ku janë realizuar me sukses një sërë operacionesh policore”.
Në fakt janë të paktën 44 persona, pjesa më e madhe shqiptarë, por dhe shtetas turq, që janë arrestuar nga viti 2017 e deri më sot, si pjesëtarë të këtij grupi, të cilit i janë bllokuar gjithashtu në Shqipëri, Itali, Greqi e Turqi edhe disa tonelata marihuanë.