Policia greke ka goditur një rrjet kriminal që trafikonte municione nga Shqipëria drejt ishullit të Kretës, duke arrestuar katër persona, përfshirë një 65-vjeçar, i dyshuar si kreu i grupit, i cili më parë është dënuar për të njëjtën vepër penale.
Hetimet zbuluan se banda blinte mijëra fishekë me kalibra të ndryshëm në Shqipëri dhe i transportonte në kamionë të modifikuar, ku municioni fshihej në vende të fshehta për të shmangur kontrollet policore. Pas kalimit të mallrave në kufirin greko-shqiptar, ata i dërgonin me traget nga porti i Pireut drejt Kretës, ku municioni shitej me çmime të larta palëve të interesuara.
Në momentin e arrestimit në kufirin greko-shqiptar, policia sekuestroi 24,000 fishekë. Kontrollimet e mëtejshme në banesat dhe automjetet e të dyshuarve rezultuan me sekuestrimin e 126 fishekëve të tjerë, një armë ushtarake, 900 euro dhe tre automjete.
Një prej të arrestuarve, një 41-vjeçar me origjinë shqiptare, ishte përgjegjës për kontaktet me tregtarët dhe organizimin e dërgesave, ndërsa një 30-vjeçar u arrestua në Kretë pasi kishte porositur ilegalisht municion nga grupi kriminal.
Të arrestuarit përballen me akuza për shkelje të ligjit për armët dhe vepra të tjera penale, ndërsa çështja është në duart e prokurorisë kompetente të Chanias.