Me 4 vite burg është dënuar në Francë një shqiptar, pasi është kapur duke vjedhur bizhuteri, ora dhe pajisje elektroshtëpiake. Ai akuzohet se ka vjedhur sende me vlerë në 20 qytete të Francës nga fundi i dhjetorit 2020 deri në fillim të janarit 2021.
Xhemal Uka kishte mbërritur në Francë në nëntor të vitit 2020 ku kishte aplikuar për azil sepse “kishte frikë për jetën në Shqipëri”, siç është shprehur ai para gjykatës.
Sipas asaj që ka deklaruar përmes avokatit të tij në gjykatë, Xhemal Uka i druhej një hakmarrjeje ndaj tij dhe familjes së tij pasi në vitin 2015 ai kishte goditur me thikë një efektiv të Antidrogës. “Hakmarrja në Shqipëri nuk është trillim. Frika e tij është reale dhe e justifikuar”, është shprehur avokati i shqiptarit.
Sapo arriti në Francë, filloi të vidhte shtëpitë e francezëve
Sipas dosjes hetimore të ngarkim të shqiptarit Xhemal Uka, gjykatësi vuri në dukje se vjedhjet ai i kryente në orët e vona të pasdites dhe kryesisht në shtëpitë që ishin të pabanuara.
Policia franceze ra në gjurmët e shqiptarit përmes përgjimeve telefonike ku bashkë me të akuzohet edhe një tjetër shqiptar që bashkëpunonte në vjedhjet e shtëpive.
Sipas prokurorisë shqiptari vidhte bizhuteri, ora, pajisje stereo dhe elektroshtëpiake duke shkaktuar një dëm prej gati 94 mijë euro. Më pas ai ka tentuar t’i shiste sendet me vlerë në një nga dyqanet e Parisit, por nuk ka mundur ta realizojë një gjë të tillë pasi ai nuk ishte kartë identiteti.
Shqiptari ka kundërshtuar akuzat duke thënë se nuk ka prova që ai ka vjedhur bizhuteri ndërsa është justifikuar se ka marrë borxh rreth 13 mijë euro për t’ia dërguar nënës së tij në Shqipëri për një operacion që ajo do të duhej të kryente.
Xhemal Uka është dënuar në Shqipëri për plagosjen me thikë të një efektivi të Antidrogës në vitin 2015. Ndërsa tani do të duhet të vuajë dënimin në Francë për vjedhje derisa të dëbohet nga territori francez.
Si e plagosi me thikë Oficerin e Antidrogës, pasi ndërhyri të shuante sherrin
Sami Gjyzeli, 56 vjeç, efektiv i Antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, sipas uniformave blu, në vitin 2015 ka marrë një goditje me thikë në bark.
I dëmtuari, Gjyzeli, sipas mjekëve, ka humbur sasi të madhe gjaku, por fatmirësisht tehu i thikës nuk i ka prekur organet jetësore duke i shpëtuar vdekjes.
Dëshmitarë në vendngjarje thanë për policinë se autori i plagosjes, Xhemal Uka, 20 vjeç, banor i qytetit të Durrësit, u përfshi në një debat verbal me pronarin e një agjencie udhëtimi, e cila ndodhet poshtë Urës së Dajlanit në hyrje të portit detar. Pikërisht, në momentet që debati po degradonte deri në dhunë fizike, mes pronarit të agjencisë dhe 20-vjeçarit Uka ka ndërhyrë efektivi i policisë, 56-vjeçari, Sami Gjyzeli.
Pavarësisht se ai në ato momente ndodhej jashtë shërbimi dhe pa uniformë policie, është mundur të qetësojë situatën dhe të identifikohej nëpërmjet një dokumenti që u përket uniformave blu. Por i riu nuk i është bindur, duke e qëlluar me thikë në bark. Menjëherë pas kryerjes së krimit, 20-vjeçari Xhemal Uka është larguar nga vendi i ngjarjes me një motor, ndërsa në ndjekje të tij janë vënë efektivë të Policisë së Rendit derisa është vendosur në pranga prej tyre.