Goditja ndaj Azem Vllasit është goditje e katërfishtë mbi themelet e shoqërisë dhe shtetit kosovar. Së pari, është atakuar themeli i shoqërisë, liria e tjetrit (liria e një qytetari), së dyti, është goditur siguria qytetare duke e sfiduar shtetin si shtëpi të përbashkët, së treti, është sulmuar një avokat i mirënjohur, që paraqet sulm mbi drejtësinë (që nuk u arrit të vendoset as 17 vjet pas luftës) dhe, së katërti, më e rënda, është goditur kundërshtari politik, si barometër nëse një shoqëri është e pjekur për demokraci ose jo.
Pikërisht kur jemi te kjo e fundit, qasja ndaj kundërshtarit politik, jo pse ish-regjimi komunist kishte trajtim më human, jo pse partitë ose grupimet e tjera në Kosovën e pavarur kanë dëshmuar qasje më demokratike, porse, për shkak të mësymjes që Lëvizja Vetëvendosje i bën pushtetit aktual, fokusin e vë pikërisht mbi këtë lëvizje. Si dëshmi se ka qëndrime jo vetëm shumë të shkreta politikisht për kundërshtarët politikë, por edhe hakmarrëse. Gjë që Lëvizjen e Albin Kurtit do ta mbajë shumë kohë larg pushtetit. Dhe kjo është fare lehtë e justifikueshme.
Qëndrimi i këtij grupimi politik ndaj atentatit me prapavijë politike kundër Vllasit dëshmon se qytetarët e Kosovës me të drejtë duhet të frikësohen nga politikat përjashtuese të VV-së.
Heshtja e lidershipit të organizatës së Kurtit dhe pozicionimi armiqësor i një zyrtari të saj, tek shprehet me cinizëm se 36 vjet nga demonstratat e marsit 1981, Azem Vllasi është këshilltar i Hashim Thaçit, ndërsa Isa Mustafa kryeministër, dhe paraqitja e një eksponenti tjetër të kësaj lëvizjeje, i cili nuk do të shprehë keqardhje edhe nëse Vllasi do të vdiste, dëshmojnë anamnezën e brumosjes ideologjike të një pjese, fatkeqësisht të moshës së re, të qytetarëve të Kosovës.
Qasja ndaj kundërshtarëve politikë pra i përcakton kufijtë e zhvillimit demokratik të një shoqërie, pra edhe kufijtë e sigurisë së qytetarëve në një shtet. Pa këtë pozicionim të Lëvizjes së Kurtit nuk do të ishte e qartë dhe e plotë fotografia, përse pushteti aktual sillet njëjtë , pra armiqësisht ndaj aktivistëve të VV-së!?
Ndonëse Vllasi nuk është kundërshtar tipik politik i VV-së, sepse ai nuk është përzier në parti e grupime politike dhe as në pushtetin politik, është goditur ai si simbol i komunizmit jugosllav, për t’ua dërguar mesazhin qytetarëve të tjerë që trajtohen si të mundur në luftë nga parapolitika kosovare dhe mekanizmat e saj vrasës.
Prandaj VV-ja e tillë duhet refuzuar qytetarisht.
Revolucionarët e rinj – të thuash fëmijë – të frymëzuar nga etërit dhe familjarët e grupeve marksiste-leniniste të viteve ‘70-‘80 të shekullit 20 dhe njerëz pa ideologji të theksuar, por që kanë pësuar nga fashizmi serb; të joshur nga etnonacionalistë që kurrë nuk e kanë bërë dallimin mes luftës çlirimtare dhe terrorizmit, paraqiten në Kosovë si alternativë, në shekullin 21.
Dhe për ironi, këta njerëz me edukim të lodhët dhe shkollë të keqe, ku ende historia lexohet si letërsi plot mite e legjenda dhe interpretohet ideologjikisht – si pasojë e qeverisjes kleptokratike të përbërë nga qytetarët më të ligj të këtij vendi – ende për idhuj i kanë terroristët e tipit të Ernesto Che Guevarës, në kontekst global ose të Avni Rrustemit dhe Enver Hoxhës në kontekst lokal (që së bashku me Miladin Popoviqin e Dushan Mugoshën e përbënin linjën terroriste brenda Partisë Komuniste Shqiptare (sipas bashkëpartiakut Sejfulla Maleshova dhe vrojtuesve të pavarur të kohës), pikërisht këta shfaqen si simptoma dhe anamneza prej çka vuan shoqëria kosovare: Hakmarrja politike!
Mburrja me modelin e patriotit terrorist si çifti i Avni Rrustemit ka krijuar monstrum nga kjo shoqëri. Madje, këtë model e kanë përdorur me mburravecëri edhe shumë nga kasta politike që sot e mbajnë pushtetin politik dhe emrat e tyre mund të gjenden në listat për likuidim që i krijon mendësia e Murat Jasharit, pra njëjtë kanë vepruar dikur disa nga këta që sot pandehen si të rrezikuar nga organizata ciklope “Syri i popullit”!?
Dhe kanë shërbyer si yrnek.
Interpretimi idiot (dhe ideologjik i historisë) nga edukatorë injorantë në të gjitha nivelet e shkollës kosovare ka krijuar perceptimin se në komunizmin jugosllav, eksponentët e pushtetit janë ushqyer me mish njeriu!?
Porse harrojnë se komunizmi jugosllav, megjithatë, u dha atyre shkollë, elektrifikim, industrializim dhe, mbi të gjitha, emancipim shoqëror e politik – pra vetëdije për pozitën nënshtruese të tyre – duke e formësuar nacionalizmin shqiptar. Ndoshta këto qëndrime të Vllasit, ndër të tjera, të shprehura në librin e tij “Kosova: Fillimi që nuk harrohet”, që ka të bëjë me rebelimin e marsit 1981, të botuar nga Grupi KOHA, kanë qenë shkaktare që ai të gjendet në një listë monstruoze. Siç ishin gjetur në aso listash të krijuara nga mendje kriminale dhjetëra aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që janë goditur në prita (gjithnjë me silenciatorë!?) për qëndrimet politike dikur.
Një dialog në Facebook mes autorit të një statusi lidhur më “rastin Vllasi” dhe një vajze shumë të re, ku vajza thotë se i kanë thënë familjarët në shtëpi se Vllasi ka bërë krime, shpalos në mënyrën më trishtuese të mundshme tragjedinë e shoqërisë kosovare: krimin ndaj historiografisë.
Ky dialog i shkurtër dëshmon se si janë helmuar fëmijët nga mosdija dhe paragjykimi i tjetrit.
Të paditurve nuk u interesojnë faktet historike, porse thashethemet, gojëdhënat popullore. Pra, shkrimi populist i historisë si albanocentrizëm. Elitat politike në mësymje për ta kapur pushtetin politik gjejnë njerëz të ligj, pa edukim qytetar, i shtyjnë në akte kriminale, pastaj kur t’i kapin (shpesh i kapin vetë ata që i shtyjnë në marrëzi, për qëllime pushtetare, si “rasti Bllaca” dhe Fahredin Gashi, i shpallin te sëmurë psikikë. Lexova në shtypin e Prishtinës se dorasi i Vllasit M.J. ishte cilësuar qysh moti “një i sëmurë mendërisht” nga zyrtari i lartë i PDK-së dhe nënkryetar aktual i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti. Vërehet një sindromë e rrezikshme tek një shtresë e popullsisë depresive kosovare që të luftohet kakistokracia aktuale me ideokraci staliniste, dhe në këtë kontekst duhet parë tendencat që në përballje me shtriga të rizgjohet lugat stalinizmi enverist, duke dashur ta heqin qafe një kastë politike të korruptuar deri në asht e në këtë kontekst ta luftojnë secilin mendim ndryshe për ta rivendosur një diktaturë – karikaturë!
Sepse në një vend, për sigurinë e të cilit kujdesen trupat e huaja (KFOR-i), çfarëdo synimi për diktaturë është marrëzi! Qasja ndaj kundërshtarit politik në këtë shoqëri është diabolike.
Kundërshtari pa çare duhet damkosur nga pretendentë që synojnë dominimin e shoqërisë, kundërshtarit politik duhet t’i vishen aq të zeza sa turma të mos e dallojë më nga një shtrigan që ka dalë nga honet e përbindshme për të hëngër fëmijë!?
As komunizmi jugosllav dhe as ai shqiptar nuk kishin qasje më humane karshi kundërshtarëve politikë, mirëpo ata, pos ndonjë rasti të rrallë, u organizonin gjyqe formale atyre.
Mirëpo shoqëria kosovare sot, 17 vjet pasi e ka fituar lirinë e vet kombëtare dhe e ka në pronësi shtetin e pavarur, të vazhdojë ende të mbëltojë të njëjtin model: Të vriten ata që nuk mendojnë si ne. Kjo shënon fillimin e rrënimit të vlerave themeltare të një shoqërie.
Në këtë kontekst duhet vrojtuar profilin e M.Jasharit me shokët.
Ata janë prodhimi i kësaj shoqërie dhe kësaj forme qeverisëse prej gangsterësh – kjo paraqet psikosomatikën e frymës së kohës – kur opozita dhe shoqëria civile, shumë nga gazetarët dhe analistët, vetëm kanë kritikuar pushtetin për keqqeverisje e tenderë, për vjedhje milionëshe, që rrallëherë gjykatat i kanë vërtetuar, porse nuk janë dëshmuar të aftë për ta kritikuar pushtetin për të mos e lënë të gabojë, duke e lidhur qytetarin për shteti e jo për struktura të ndërmjetme si kombi dhe duke propozuar politika alternative dhe reforma sistemore, pra për ta lëkundur pushtetin nga qëndrimet e mbrapshta, madje tërthortë edhe u kanë shërbyer konditave të pushtetit, duke rënë në grackat e ngrehura nga shërbimet sekrete partiake, duke konsumuar doza të mëdha nacionalizmi dhe urrejtjeje për tjetrin/tjetrën, që perceptohet i ndryshëm. Në të gjitha shoqëritë ku shfaqet agresioni politikisht i motivuar (etnonacionalizmi) fillimisht mësyn përjashta, një armik të qenë dhe dikur kur armiku nuk ekziston më, ky agresion shoqëror kthehet nga brenda. Kjo fatkeqësi po i ndodh Kosovës. Kur realisht po fabrikohen armiqtë.
Nuk habisin tutje turma kosovarësh që në ndeja kafehanesh po edhe në forume publike dhe rrjete sociale justifikojnë atentatet me prapavijë politike, (në këtë rast edhe goditjen e ish-liderit komunist të Kosovës Azem Vllasi), por çudë me disa pretendentë për t’u ngritur në nivel të liderëve institucionalë, të cilët tallen me atë që i ndodhi një qytetari të lirë të Republikës në pikë të ditës, në shtëpinë e tij. Një bashkësi njerëzore me sindroma të patologjisë shoqërore, pa e diagnostikuar sëmundjen dhe pa e marrë kurën e duhur, zor që do të çohet në këmbë!?
Kundërshtarët politikë janë eliminuar me atentate dhe armë me silenciatorë gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Dhe opozita kosovare nuk e ka përdorur asnjëherë këtë argument për t’i dhënë vendit alternativë demokratike – që të respektohet kundërshtari politik – duke dënuar dhe denoncuar hakmarrjen politike si shkatërrimtare për një shoqëri të lirë. Sipas këtij trendi tribal, ata që dje e kanë goditur Vllasin, sot mund ta godasin Isa Mustafën ose Hashim Thaçin, por supozohet se pushtet të përjetshëm nuk ka dhe dikur, në një të ardhme, ata që marrin pushtetin natyrisht se mbajnë mend – dhe do të godasin sërish – goditësit pararendës, qofshin ata të PDK-së, të Vetëvendosjes ose të “pararojave” ShIK, “Sigurim i Atdheut” apo “Syri i popullit”!
Ajo shoqëri që e instalon (në kontekstin kosovar mund të thuhet se e etablon.Sic!) kulturën e mosndëshkimit të krimit, gjithnjë e lë një armë me silenciator në duart e “një të marri” !???
Sepse, askush nuk del që të thotë: Stop!
Ngase në një shoqëri të kriminalizuar, të gjithë janë të përfshimë në format nga më të ndryshme të krimit, të gjithë janë të frikësuar nga hakmarrja, sepse të gjithë janë potencialisht për burg!
E mbroj pikëpamjen se secili vrasës është një i çmendur. Së këndejmi, në secilin variant atentatori që deshi ta vriste Vllasin është një i çmendur, jo përse ai ka shkalluar klinikisht (M.J. ka shkruar një seri letrash në adresë të të gjithë komandantëve të UÇK-së për abuzim me fondet dhe për vrasje politike e gjëra të tmerrshme), por për faktin se ai thjesht ka intenca të një ideologu (instancë e lartë që vendos se kush është patriot e kush tradhtar, kush duhet vrarë e kush duhet lënë për të jetuar!???) paranojakë e të rrezikshëm, ashiqare simptomë e kësaj shoqërie, së bashku me të kaluarën traumatike. Atentatori M.J. është prodhim i një shoqërie që nuk ia ka dalë ta vendosë drejtësinë dhe përse ata shëtisin të lirë dhe të armatosur – për çiftët e tij – përgjegjës është shteti. Përse nuk u merren armët?
Sepse ata janë të përdorshëm për qëllime të mbajtjes së pushtetit.
Nëse mekanizmat e sigurisë në Kosovë kanë pasur informata se ai ka kanosur publikisht njerëz me emra e mbiemra, madje ndonjëherë “është mbajtur nën vëzhgim” (!?) qysh është e mundur që atentati mbi Vllasin të mos parandalohej?
A thua, Vllasi është cilësuar qytetar i rendit të dytë në këtë shoqëri, që bëka t’i cenohet liria, madje jeta?
Këto që po lexoj së fundi nga relatat e zyrave të sigurisë në Kosovë janë thjesht budallallëqe.
Porse, ndërtimi i një shoqërie të dhunshme e ka historinë e vet!
Shoqëria kosovare shumë gjatë është mbështetur në ideologjinë staliniste (sidomos në atë enveriste) edhe si praktikë terroriste.
Vrasjet me atentat i ka aplikuar dendur UDB-ja (shërbimi sekret jugosllav dhe pastaj milicitë sekrete serbe.)
Dhunën politike ndër shqiptarët para së gjithash e iniciojnë ideologjitë e ekstremit të majtë që i kanë gërshetuar pikëpamjet me nacionalizmin etnik.
Vrasjet politike, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ishin plagët që e kanë dëmtuar më së rëndi ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe një shteti ku sundon ligji e jo liganat e nëntokës!
Ashiqare vrasjet politike ende vazhdojnë për ta mbëltuar kulturën e mosndëshkimit të krimit!
“Rasti Vllasi” besohet se do ta marrë epilogun nga drejtësia, sepse është në interesin e klasës aktuale politike, porse një gjë dihet: Goditja e Vllasit e ka qendrën e vet ideologjike.
Ajo mësyn frikësimin e qytetarëve (sidomos personave publikë) në prag të proceseve rraskapitëse që do të ndodhin në vend gjatë këtij viti, që do ta tronditin kastën aktuale politike.
Prandaj shoqëria kosovare sot duhet t’i thotë stop dhunës.
Çfarëdo dhune. E sidomos dhunës me motive politike!
Kundër dhunës duhet të mobilizohen të gjithë ata qytetarë të edukuar qe e duan këtë vend, që e duan Republikën si projekt të përhershëm. Sepse, nesër atentatori me revole e zambytës mund t’i “trokasë” në derë secilit. Secila formë e dhunës në Kosovë – pavarësisht se nga vjen – është e strukturuar si fashizëm dhe mësyn shpërbërjen e shoqërisë dhe të shtetit kosovar dhe është dizajnuar nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse, natyrisht duke përdorur tërthortë individë dhe grupe politike ekscentrike dhe ekstremiste, politike e fetare, brenda Kosovës.
Nuk i justifikoj politikat e Azem Vllasit dhe epokës së tij, sepse ndërtimi im liberal dhe humanist është në kundërshtim me të gjitha format totalitariste të pushtetit politik, porse as nuk i gjykoj nga prizmi i së sotshmes.
Sidoqoftë, ai regjim ka rënë pikërisht për shkak se nuk i respektonte vlerat njerëzore, dinjitetin dhe integritetin e njeriut, pra mendimin ndryshe dhe kundërshtarët politikë.
Vllasit ende askush nuk ia ka faktuar askush asnjë krim, nuk i ka bërë askush një padi publike, të ketë pësuar nga politikat e tij, ende askush nuk ia ka dëshmuar asnjë faj që mund të ndërlidhet me vepër penale dhe atij nuk i është bërë asnjë gjyq publik.
Pos në regjimin e Milosheviqit, i cili u premtoi turmave fashiste në Beograd se do ta arrestonte dhe asgjësonte Vllasin së bashku me institucionet kosovare.
Vllasi i tha jo fashizmit të Milosheviqit dhe për pasojë u ndoq dhe u persekutua, si secili shqiptar tjetër etnik i ish-Jugosllavisë. Pastaj të gjitha dihen.
Tashti e tërë shoqëria kosovare duhet t’i thotë jo fashizmit brenda saj!
Sepse Vllasi është goditur për të dytën herë nga fashizmi.
Së këndejmi, solidarizimi me Vllasin, si një qytetar i lirë i këtij vendi nominalisht të lirë, është akt qytetërues dhe kalorsiak!
Në demokraci kundërshtarët tanë politikë kanë po aq të drejtë sa ne t’i shprehin dhe t’i mbrojnë kundërshtitë e tyre, hapur dhe pa drojë!
© KOHA.