“Goditja e kriminelëve shqipfolës”/Si kryhej transporti i drogës nga Amerika Latine dhe si bëhej pastrimi i parave

Plot 45 persona kanë përfunduar në prangat e Policisë gjatë një operacioni ndërkombëtar nga Europol në atë që agjencia europiane e cilëson si operacion për “goditjen e kriminelëve shqipfolës”.


Aksioni është zhvilluar kryesisht në Belgjikë dhe në Spanjë, duke goditur grupin që merrej me trafikun e kokainës nga Amerika Latine për në kontinentin europian.

“Të dyshuarit mendohet se importonin kokainë nga Amerika Latine në porte të ndryshme europiane, duke organizuar transportin nëpërmjet avionëve, anijeve, makinave dhe kamionëve dhe drejtonin tregtinë me shumicë. Spanja dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së u përdorën për të pastruar procedurat e tregtisë së tyre”, thuhet në njoftimin e agjencisë.

Europol thekson se operacioni ndërkombëtar në shtatë vende ka rezultuar me goditjen e një prej rrjeteve më aktive të trafikut të kokainës nga “grupi shqipfolës” në Europë.

“Një operacion ndërkombëtar, me përfshirjen e autoriteteve të sundimit të rendit dhe ligjit në shtatë shtete, ka rezultuar me shpartallimin e njërit prej rrjeteve të trafikimit shqipfolës më aktiv në Europë. Sot, Eurojust dhe Europol mbështetën aksionet në Belgjikë dhe Spanjë, gjatë të cilave u bastisën mbi 80 lokacione dhe 45 të dyshuar u arrestuan”, thuhet në njoftimin e kësaj agjencie të Bashkimit Europian me seli në Hagë të Holandës.

KONTROLLET NË DISA SHTETE

Gjatë operacionit, mbi 600 oficerë të zbatimit të ligjit në bashkëpunim të ngushtë me prokurorët dhe oficerët hetues kryen bastisje ndaj anëtarëve të këtij rrjeti në Spanjë dhe Belgjikë. Një sërë aksionesh paralele u zhvilluan edhe në Kroaci, Gjermani, Itali dhe Holandë.

SI NISËN HETIMET

Gjatë vitit të shkuar u krijua një grup i përbashkët hetimor midis Belgjikës dhe Spanjës, ndërsa pala spanjolle kishte nisur hetimet në vitin 2018, pas arrestimit të një anëtari të lartë të grupit të krimit të organizuar, i cili aktualisht ndodhet në qeli.

Përveç kësaj, një Task-Forcë Operacionale (OTF) u krijua në Europol për të bashkuar burimet dhe ekspertizën hetimore dhe për të zhvilluar hetimin ndërkombëtar.

Ndërkohë, në Belgjikë nisën hetimet pas sekuestrimit në shtator 2020 të drogës dhe sasive të mëdha të kimikateve, të përdorura për transformimin dhe ruajtjen e kokainës për qëllime tregtare. Sasi të mëdha kokaine të kapura gjatë kontrolleve të ndryshme në të gjithë Europën gjatë viteve të fundit lidhen me të dyshuarit.

SI PASTROHESHIN PARATË

Ky rrjet kriminal i nivelit të lartë kishte krijuar një sërë ndërmarrjesh në vende të ndryshme për të pastruar fitimet, duke përfshirë Kroacinë dhe Spanjën, duke përdorur shpesh kompani fiktive.

Anëtarët e saj udhëtonin rregullisht në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi, për të rregulluar biznesin e tyre të paligjshëm dhe përdorën mjete komunikimi të koduara për të koordinuar aktivitetet.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme