Gjykata e Tiranës ka lënë në masën ‘arrest me burg’ Elis Suçin, i arrestuar pak ditë më parë për grabitjen e parave në filialin e Postës Shqiptare në Kamëz.
Mësohet se Suçi ka pranuar autorësinë e vjedhjes në një market.
Pritet që të riut t’i jepet masa e sigurisë edhe për të shtënat me armë zjarri, pasi më 3 mars të këtij viti, kur policia tentoi ta arrestonte pranë një gjimnazi në Kamëz, ai ka qëlluar me armë.
Suçi arrestohet nga policia
Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ka arrestuar personin, i cili ditën e djeshme nën kërcënimin e armës, vodhi një sasi parash në një pikë të postës Shqiptare në Kamëz.
I arrestuari është shtetasi Algert Kurti, 20 vjeç, banues në Kamzë, i cili akuzohet për veprën penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim
Ndërkohë njofton se ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij, shtetasi Elis Suçi, 30 vjeç, banues në Kamzë, i dënuar më parë për vjedhje.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 5, operacioni policor i koduar “Filiali 2”. Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dhe dokumentohet në kohë rekord, ngjarja e ndodhur ditën e djeshme, në Kamzë. Identifikohet dhe vihet në pranga njëri nga autorët që dyshohet se vodhi nën kërcënimin e një arme, një shumë parash, në filialin e Postës Shqiptare. Shpallet në kërkim bashkautori tjetër. Sekuestrohen një aparat celular dhe veshjet që autorët dyshohet se i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në Kamzë, pas marrjes së njoftimit për vjedhjen e një shume parash në filialin e një poste në Kamzë, menjëherë kanë organizuar punën me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Në vijim të veprimeve intensive hetimore, bazuar dhe në provat e grumbulluara dhe informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Filiali 2”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes, shtetasit A. K., 20 vjeç, banues në Kamzë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkautori tjetër, shtetasi E. S., 30 vjeç, banues në Kamzë, i dënuar më parë për vjedhje. Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, më datë 18.04.2022, rreth orës 14:20, nën kërcënimin e një arme, kanë marrë një shumë parash në filialin e postës Shqiptare në Kamzë dhe janë larguar.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një aparat celular dhe veshje, të cilat autorët dyshohet se i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Kush është Elis Suçi?
Policia e Shtetit njoftoi se ka vënë në pranga një 20-vjeçar, i identifikuar si Algert Kurti, i cili së bashku me një person tjetër, janë autorët e grabitjes me armë të një pike të Postës Shqiptare në Kamëz. Bashkëpunëtori i 20-vjeçarit Kurti, sipas policisë, u identifikua si Elis Suçi, një emër ky tepër i njohur për Policinë e Shtetit, e cila nuk e ka përballjen e parë me të.
Në skedarët e bluve rezulton se Suçi, në kërkim gjithashtu për grabitje të tjera në Tiranë, qëlloi me armë ndaj efektivëve të Policisë gjatë një aksioni për arrestimin e tij. Ngjarja u shënua në mars të po këtij viti në rrugën “Nënë Tereza” në Kamëz. Në momentin që e ka kuptuar që po e ndiqte policia, Suci ka qëlluar me pistoletë dhe është larguar. Nga të shtënat fatmirësisht nuk pati të lënduar.
“Kamëz, në rrugën “Nënë Tereza”, pranë një hoteli, shërbimet e policisë kanë ndjekur një person të shpallur në kërkim për vjedhje kryer në bashkëpunim, me masë sigurie “Arrest në burg”, në kuadër të operacionit policor të koduar “Përsëritësit”, kryer nga Komisariati i Policisë Kamëz. Shtetasi Elis Suçi, në momentin që e ka kuptuar që po e ndiqte policia, ka qëlluar me pistoletë dhe është larguar. Shërbimet e Policisë Kamëz, grupe të forcës së posaçme Shqiponjat dhe të Operacionales të DVP Tiranë po krehin zonën me qëllim kapjen e tij”, thuhej në njoftimin e atëhershëm të Policisë së Shtetit.
Emri i Suçit në grabitjen e filialit të postës në Kamëz, doli nga shoku i tij pas arrestimit. Sipas dëshmisë së Algert Kurtit, i vënë tashmë në pranga, Suci ka vëzhguar zonën dhe kur në filial nuk ka patur njerëz ka njoftuar shokun e tij të afrohej me armë.