Mëngjesin e së hënës rreth orës 10:30, një grabitje e armatosur nga ndodhur në lagjen Veternik në Prishtinë, në afërsi të Albi Mall, shkruan Gazeta online Reporteri.net.
Lidhur me rastin, në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se rasti dyshohet të ketë ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj personave që po siguronin një furgon që po transportonte para.
Policia thotë se janë ndërmarrë të gjitha masat për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve të përfshirë në rast.
Siç raportoi gazeta online Reporteri.net, dyshohet se grabitësit të maskuar e me armë të gjata sulmuan furgonin e kompanisë “Besa Security” që po transportonte para.
Të dyshuarit me t’u larguar nga aty në drejtim të Hajvalisë, dogjën automjetin “Pick Up” me targa të Gjermanisë, ku dhe e gjeti policia në rrugën “Pal Malushi” në Hajvali.
Siç raportoi gjatë ditës Gazeta Online Reporteri.net, një 42-vjeçar nga Vushtrria mbeti i plagosur në shpinë me dy plumba.
Nga Emergjenca në QKUK kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se gjendja e tij është e rëndë.
Shefi i Emergjencës, Naser Syla tha për Reporteri.net se i plagosuri aktualisht është duke iu nënshtruar operacionit.
“Gjendja është e rëndë. Aktualisht është në sallën e operacionit”, ka thënë shkurtimisht Syla për Reporteri.net.
/Reporteri.net/