Policia e Kosovës ka arrestuar një person (F.S, 38 vjeçar), pasi mbrëmë në një parking në Fushë-Kosovë bashkë me dy persona të tjerë nën kërcënimin e armëve, kanë arritur që të grabisin nga viktimat një shumë të konsiderueshme parash si dhe një çantë me dokumente personale.
Lidhur me këtë rast policia ka arritur të arrestojë vetëm njërin nga personat e dyshuar, transmeton Gazeta Express.
Bëhet fjalë për: F. S, mashkull, 38 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ndaj të cilit me rekomandimin e prokurorit të shtetit është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Këtu mund të lexoni detaje shtesë nga grabitja e mbrëmshme në Fushë-Kosovë:
Dje rreth orës 17:00, policia ka marrë informacionin për një rast grabitje në Fushë Kosovë, saktësisht në një parking në zonën industriale, ku tre persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve, kanë arritur që të grabisin nga viktimat një shumë të konsiderueshme parash si dhe një çantë me dokumente personale.
Me të marrë informacionin, policia është vënë në ndjekje të veturës Golf IV, ngjyrë hiri pa targa, me të cilën janë larguar nga vendi i ngjarjes personat e dyshuar.
Kjo veturë është ndaluar në rrugën Prishtinë – Mitrovicë, nga zyrtarët policorë të cilët domosdoshmërisht janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të rrezikshme. E gjithë kjo është bërë duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit përbënin një kërcënim të drejtpërdrejtë, potencialisht të rrezikshëm për jetën e tyre.
Lidhur me këtë rast policia ka arritur të arrestojë vetëm njërin nga personat e dyshuar:
F. S, mashkull, 38 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ndaj të cilit me rekomandimin e prokurorit të shtetit është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për veprat Tentim vrasje, grabitje e armatosur dhe mbajte në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve.
Ndërkohë që njësitet policore kanë sekuestruar:
veturë Golf IV
një pistoletë e kalibrit 8 mm
një pistoletë të plastikës (lodër)
një pale dorëza
dy kapela si dhe
çanta e viktimës së bashku me dokumentet personale.
Aktualisht hetuesit policorë po kryejnë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së të gjitha rrethanave që karakterizojnë këtë ngjarje, si dhe po punojnë për identifikimin e arrestimin e personave të tjerë që dyshohet të jenë të përfshirë në rast. /Express