Grabovci flet për propozimin e ri të deputetëve të LDK-së për demarkacionin

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës që vazhdojnë të kundërshtojnë versionin aktual të demarkacionit me Malin e Zi, tashmë i kanë propozuar liderit të kësaj partie, Isa Mustafës, një zgjidhje që sipas tyre do t’i bindte ata të votonin marrëveshjen në fjalë.

Janë gjithsej 17 deputetë të kësaj partie që kanë kërkuar që marrëveshjes aktuale t’i shtohet një nen ku thuhet se Qeveria brenda dy viteve do ta rishikoj këtë marrëveshje. Këta deputetë presin që propozimi i tyre të marrë dritën jeshile dhe i njëjti ta zhbllokojë liberalizimit e vizave për kosovarët.

I kontaktuar nga Indeksonline lidhur me këtë propozim, deputeti i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës, idetë dhe propozimet e tyre mund t’i elaborojnë dhe propozojnë vetëm në seanca parlamentare.

“Idetë e tyre mund t’i elaborojnë dhe propozojnë vetëm në seanca parlamentare kur të vije demarkacioni në Parlament. I vetmi institucion që mund të ndryshojë dhe jo vetëm në marrëveshjen mbi demarkacionin për çdo Ligj, është Parlamenti i Kosovës dhe jo rastësisht ne kemi kërkuar që demarkacioni duhet të vijë në Kuvend dhe të debatohet aty ku e ka vendin, nëse ka nevojë për plotësim dhe ndryshim atëherë vetëm Parlamenti mund ta bëjë një gjë të tillë”, ka thënë Grabovci.

Sipas tij, çështja e demarkacioni është më e gjerë dhe interesi që ka kjo çështje i tejkalon kufijtë e partive politike.

“Parlamenti nuk ka deputetë vetëm PDK dhe LDK por deputetë të gjitha subjekteve politike dhe kjo çështje është në interes nacional që i tejkalon kufijtë e partive politike dhe Partia Demokratike e Kosovës është e përcaktuar qartë që të gjendet një konsensus në mes partive politike por edhe një konsensus i përgjithshëm që të merret një vendim sa më i drejtë sa i përket kësaj çështje”, ka vazhduar Grabovci.

Sipas Grabovcit demarkacioni ka qenë dash të vijë në Parlament shumë kohë më herët.

“Demarkacioni ka qenë dashtë të vijë në Parlament shumë më herët dhe të merren këto vendime sepse koalicioni aktual qeverisës është lidhë me qëllim të marrjes së këtyre vendimeve të vështira dhe përderisa këto vendime nuk merren, normalisht se ky koalicion mund të cilësohet si i dështuar”, ka përfunduar Grabovci.

Ndryshe duhet përkujtuar që sipas të gjitha gjasave të paralajmëruar, demarkacioni do të vihet në Kuvend përgjatë javës së ardhshme.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme