Grabovci kishte kërkuar nga gjykata asgjësimin e përgjimeve

Përpjekja e Adem Grabovcit për heshtjen e përgjimeve që po publikohen nga gazeta “Insajderi”, është refuzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Sipas vendimit të gjykatës të botuar në këtë gazetë online, Valon Hasani, avokati i Adem Grabovcit kishte kërkuar që përgjimeve t’u vendoset masë e përkohshme, ndërsa sipas tij përgjimet është dashur të asgjësoheshin, e jo të publikoheshin.

“Këto përgjime në përputhje me Kodin e Përkohshëm të Procedurës Penale, neni 263 par.4 është dashur të asgjësohen, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe të njëjtat tani janë publikuar,” kishte kërkuar avokati sipas vendimit të gjykatës të publikuar nga gazeta “Insajderi”.

Kërkesën për masë të përkohshme avokati Hasani e kishte bazuar në ruajtjen e privatësisë, të garantuar sipas tij me Kushtetutën e Kosovës dhe Konventën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Por, gjykata këtë kërkesë e vlerësoi të pabazuar duke vlerësuar se parashtruesi i saj nuk ka ofruar asnjë provë se nëse nuk vendoset masa e përkohshme do të ndikoheshin negativisht të drejtat e parashtruesit.

Vendimin e gjykatës, Vehbi Kajtazi, njëri nga themeluesit e platformës online Insajderi, e konsideroi lajm të mirë për mediet kur foli për KALLXO.com.

Kajtazi deklaroi që para se gjykata të vendoste për kërkesën e Grabovcit, prokuroria do të duhej të fillonte hetimet lidhur me protagonistët e këtyre përgjimeve.

Vesel Latifaj, avokati tjetër i Adem Grabovcit në këtë çështje, tha për KALLXO.com se nuk dëshiron ta komentojë vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, pasi sipas tij vendimi tash është në Gjykatën e Apelit.

Vehbi Kajtazi nga Insajderi tha se pret vërtetim të vendimit të themelores në apel.

“Fatmirësisht, Salih Mekaj nuk është më kryetar i Gjykatës së Apelit dhe ne nuk presim asgjë tjetër përpos se apeli të vërtetojë vendimin e gjykatës themelore”, tha Kajtazi për KALLXO.com.

Sali Mekaj ishte kryetar i Gjykatës së Apelit ndërsa ishte arrestuar në korrik të vitit të kaluar. Në maj të këtij viti ndaj tij u ngrit aktakuza për shpërdorim detyre.

Insajderi publikimin e bisedave të përgjuara të Adem Grabovcit dhe zyrtarëve të lartë të PDK-së e shtetit e nisi më 1 gusht.

Në këto përgjime telefonike, Grabovci dëgjohet mes tjerash të urdhërojë e të vendosë në shumë raste se kush të punësohet e kush jo, duke shfrytëzuar fuqinë politike, ndërsa Presidentit të tashëm Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit kadri Veseli u drejtohet me fjalën shef.

Pas publikimit të përgjimeve që ende po vazhdojnë dhe protestave të një grupi të qytetarëve, Grabovci dha dorëheqje më 16 gusht.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme