Grainca: Qeveria e Kosovës ta ketë prioritet TAP-in

Deputeti i LDK-së dhe anëtari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Blerim Grainca, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta ketë prioritet studimin e fizibilitetit për Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP).

“Një ndër projektet më interesante dhe më strategjike në të cilën do të mund të kyçej Republika e Kosovës është projekti i TAP-it, i cili tanimë kalon nëpër Republikën e Shqipërisë. Ju po e shihni se e gjithë bota është e orientuar kah gazi dhe burimet e tjera alternative, prandaj mendoj se përfitimet për Kosovën janë të mëdha dhe të rëndësishme. Ky gazsjellës do ta mundësonte uljen e kostos dhe furnizimin me gaz edhe për nevojat e industrisë, por edhe të amvisërisë në Kosovë. E, pos kësaj, do të ndikonte edhe në numrin e të punësuarve dhe rritjen e produktivitetit, pasi nëse një biznes e përdor gazin, i ulën shpenzimet në lëndët djegëse dhe automatikisht do të mund ta rriste numrin e të punësuarve, ta rriste prodhimin”, ka deklaruar Grainca.
Ai ka thënë se, meqenëse TAP-i kalon nëpër Shqipëri, kjo është lehtësuese që Kosova të kyçet në të. “Tash TAP-i kalon në Republikën e Shqipërisë dhe afërsia neve na mundëson dhe lehtëson këtë kyçje, andaj do të duhej të ishte një ndër prioritetet e Qeverisë së Kosovës. Shqipëria ka shfaqur vullnet të krijojë një pikë dalje këtu diku te Miloti, për të pasur mundësi që ky projekt të zhvillohet pastaj edhe në Kosovë”, ka deklaruar ai. Grainca ka deklaruar se edhe pse ka kërkuar që dy vjet të bëhet një studim fizibiliteti për TAP-in dhe e ka ngrehur këtë çështje në Kuvend dhe në tryeza të ndryshme, Qeveria e Kosovës ende mbetet pa një vendim të konkretizuar. “Fatkeqësisht, ka dy vjet që e kam ngrehur rregullisht këtë çështje në Kuvend dhe ende nuk kemi një studim fizibiliteti për ta parë rëndësinë që do të përfitonte Kosova nga TAPi.
Pos kësaj unë e kam ngrehur këtë çështje edhe në tryeza të ndryshme, por edhe në Ministrinë e Financave, që të bëhet një studim fizibilieti, për ta parë koston e përgjithshme se sa kushton ky projekt. Jam duke negociuar me Ministrinë e Financave, që ky projekt të fillojë sa më shpejt dhe të kemi mundësi që Kosova të furnizohet me gaz”, është shprehur Graica. Ai ka thënë se as në ditën e 22 dhjetorit, kur u miratua buxheti i vitit 2017, për shkak të rrethanave që u krijuan, nuk u arrit projekti i fizibilitetit të futet në buxhetin e vitit 2017. “Për shkak të situatës që u krijua në Kuvend, propozimi im nuk u arrit të futet në buxhet, mirëpo e morëm premtimin e Ministrisë së Financave, që kjo do të kryhet nëpërmjet donacioneve të ndryshme, sepse kostoja e një studimi të tillë nuk është më e madhe se 300 mijë euro dhe ky projekt mund të bëhet qoftë me partneritet publiko-privat, qoftë me kredi”, ka theksuar Grainca. Ai ka thënë se Kosova është vonuar në këtë drejtim, meqë vendet e Ballkanit Perëndimor janë kyçur në këtë rrjet të gazit natyror.
Sipas tij, është e rrugës që sa më parë të fillohet fizibiliteti. “Jemi vonuar në këtë drejtim, për arsye se ende nuk është bërë studimi i fizibilitetit dhe pa u bërë një studim i tillë, nuk mund të bëhet një projekt i tillë, pastaj janë negociata me TAP-in. Gjithsesi ne duhet sa më parë ta bëjmë një projekt të tillë sepse, sa më shumë që të vonohemi, humbjet janë më të mëdha. Janë disa hapa që duhet të ndiçen pasi, pos studimit të fizibilitetit, duhet të gjenden burimet e financimit si dhe negociatat qoftë drejtpërdrejt, qoftë nëpërmjet palëve të ndryshme”, ka deklaruar Grainca, duke shtuar se sikur ai të mund ta çonte përpara këtë proces që nga tani do të fillonte, në saje të përfitimeve që pritet t’i ketë Kosova. “Sikur unë të isha ai që do të mund ta shtyja përpara këtë projekt, jo brenda vitit 2017, por qysh sot e kisha filluar projektin për studimin e fizibilitetit”, ka përfunduar Grainca.

 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme