Grandi po shkatërrohet

E martë, 08 Nentor 2016  –  Sakte.net  /

Hoteli Grand që dikur ishte simbol i Prishtinës, ngadalë po shkatërrohet si pasojë e moskujdesjes dhe neglizhencës së institucioneve për ta zgjidhur çështjen e pronësisë.

Ky Hotel që dështoi të privatizohet dhe sot ka mbetur nën mëshirën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, po vërshohet nga uji e punëtorët s’po marrin as paga.

Grand Hotel Prishtina ishte shitur për 8 milionë me kusht që të investonte rreth 20 milionë euro, por për shkak të mos përmbushjes së obligimeve, ai iu mor privatizuesit.

Gazeta Fjala ka vizituar hapësirat brenda hotelit dhe ka biseduar me disa punëtorë.

Njëri nga punëtorët në këtë hotel ka thënë se janë duke u ballafaquar me shumë probleme dhe se nuk janë duke marrë as paga.

“ Që kur Hotel Grandi ka dalë në likuidim nga AKP, rrogat pothuajse janë zvogëluar përgjysmë, ne mënyrë që të mos mbesin krejtësisht te papunë”, ka thënë një punëtor në kushte anonimiteti.

Ai ka treguar se edhe reshjet e shiut shumë herë e kanë vërshuar nga brenda Hotelin Grand.

“Ndërkohe, dy herë reshjet e shiut kanë hy brenda ne lokalet e hotel grandit, të cilat kanë shkaktuar dëme deri në mijëra euro”.

Një rrëfim gati të ngjashëm e ka treguar për këtë hotel edhe një punëtor i klubit të një fitnesi që operon aty.

“Ne klubin tonë të fitnesit Five Star, na ka ndodh njëherë me na hy uji brenda ne sallën e fitnesit. Dëmet kanë shkuar deri ne dhjetë mije euro dhe i kemi riparuar vetë”, ka treguar ai pa dashur ti përmendet emri.

Grandi ende në likuidim

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta kaluar Hotel Grandin në pronësi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), kjo e fundit e ka bërë gati atë për likuidim dhe pritet që në të ardhmen kjo ndërmarrje të privatizohet.

”Bordi i Drejtorëve më 2 shkurt të vitit 2015 ka vendosur për ta përfshirë në proces të likuidimit Hotelin Grandin dhe aktualisht kjo ndërmarrje është në likuidim. Bordi i Drejtorëve i AKP-së do ta trajtojë me kujdes rëndësinë e këtij aseti për ekonominë e Kosovës dhe do të merr vendim për hapat e ardhshëm”, bëjnë të ditur nga AKP-ja.

Sipas AKP-së, arsyeja që Hotel Grandi është kthyer në pronësi të Agjencisë Kosvare të Privatizimit, është sepse nuk ishin plotësuar sa duhet kushtet e kontratës nga ana e blerësit, për të cilën AKP-ja nuk ka treguar se kush ka kërkuar të privatizojë aksione në Hotel Grand.

”Si pasojë e mosplotësimit të kushteve të kontratës nga ana e blerësit, AKP me vendim të Bordit të Drejtorëve në vitin 2012 i ka përfunduar procedurat ligjore për kthimin e aksioneve në AKP. Vendimi për kthimin e aksioneve tashmë është jetësuar dhe aksionet janë kthyer në AKP”, njoftojnë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Pronësia e mban peng Grandin

Më katër tetor të këtij viti  kryetari i Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacolli, përmes një postimi ne profilin e tij në ”Facebook”, ka deklaruar se AKP-ja ia ka kërkuar 3 milionë 600 mijë euro ryshfet për t’ia transferuar pronën e Hotel Grandit atij.

”AKP e kriminalizuar, mua personalisht m’i kërkoj mbi 3.600.000 euro ryshfet për të ma transferuar pronën. Këtë kërkesë, unë e refuzova në mënyrë kategorike dhe e denoncova rastin në Polici. Njerëzit e AKP-së të hidhëruar që nuk mundën të përfitojnë për xhepin e tyre, vendosi ta kthej këtë objekt në pronësi të saj dhe sot i njëjti është transformuar në një qendër të krimit, drogës e bixhozit.”, kishte shkruar ndër të tjera Pacolli.

Në anën tjetër, të pyetur nga Gazeta Fjala, zyrtar brenda AKP-së, nuk e kanë komentuar shkrimin e Pacollit, duke shtuar se kushdo që ka fakte në lidhje me keqpërdorimin e privatizimit, duhet të raportojë tek organet përkatëse.

”Secili që posedon fakte për ndonjë keqpërdorim në lidhje me procesin e privatizimit duhet të raportojë tek organet përkatëse”, shkruan në përgjigjen e AKP-së.

Sipas të dhënave të AKP-së, aktualisht në Hotel Grand janë duke punuar 83 punëtorë, e të cilët paguhen nga të hyrat e Hotel Grandit. /Gazeta Fjala

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme