Greqia nderon Anastas Janullatos/ Në Mitropolinë e Athinës kremtohet Liturgjia Hyjnore, pjesëmarrës Mitsotakis dhe figura të tjera politike

Një ditë pas vdekjes së Anastas Janullatos, Greqia do të nderojë sot figurën e Kryepeshkopit të Shqipërisë, i cili ndërroi jetë (e shtunë 25 janar) në spitalin e Athinës pas disa komplikacioneve shëndetësore.


Në Mitropolinë e Athinës kremtohet Liturgjia Hyjnore ku merr pjesë edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti i PASOK, Nikos Androulakis.

Liturgjinë Hyjnore do ta kryesojë nënkryetari i Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Nafpaktos dhe i Shën Vlasit, Jerotheosi.

Pas përfundimit të saj, Kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Jeronimos, do të mbajë një shërbesë për shpirtin e të ndjerit.

Me vendim të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Shqipërisë, e cila mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme mëngjesin e së shtunës, Mitropoliti i Korçës, Joani, u zgjodh Mbikëqyrës i Fronit të Kryepeshkopit. Sinodi i Shenjtë shpalli gjithashtu pesë ditë zie kishtare nga 25 deri më 29 janar.

Trupi i ndjerë i Kryepeshkopit do të qëndrojë në Katedralen e Shenjtë të Athinës, ku do të vendoset për nderime publike deri në orët e mëngjesit të së hënës, kur do të dërgohet në Shqipëri.

Në vendin tonë pritja e trupit të ndjerë do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, më 28 janar në orën 16:00.

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25  janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë ku ishte i shtruar prej 3 janarit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme