Gazetare: Evi Shkopi
Dhjetëra profesorë të shkollës fillore “26 korriku” që tashmë disa ditë janë hedhur në grevë për të shprehur pakënaqësinë e tyre për mënyrën se si është shkarkuar drejtori i shkollës, prej sot u hodhën në protestë duke bllokuar rrugën para objektit arsimor. Ata thonë se nuk planifikojnë të luhaten në kërkesën e tyre dhe do të vazhdojnë me protestë dhe grevë deri sa Komuna e Shuto Orizares dhe Ministria e Arsimit ta tërheqin vendimin.
“Ne tani, sot jemi këtu në rrugë. Nuk përjashtohet mundësia pas një apo dy ditësh të shkojmë edhe para komunës, por pse jo edhe deri tek Ministria e Arsimit. Pra, ne jemi të vendosur dhe ky është vullnet i kolektivit, jo vullneti im personal dhe ne duhet ta respektojmë vullnetin e kolektivit,” tha një mësimdhënës.
Protestuesit thonë se ushtruesja e detyrës drejtoresh e shkollës, Besare Sejdi, duhet të respektojë vullnetin e kolegëve të saj dhe të refuzojë postin që i kanë ofruar duke dhënë dorëheqje.
“Mendoj se ka një numër të vogël të kolegëve që e mbështesin, por ndoshta ata janë nën presion. Është e drejta e tyre ta mbështesin nëse duan. 90% e kolegëve janë në rrugë, si edhe mund ta shikoni,” u shpreh një Pjesëtar i bordit të shkollës.
Të punësuarit e hedhur në bojkot, shumica prej të cilëve janë me dekada në këtë shkollë, dyshojnë se e gjitha kjo situatë ka prapavijë politike. Emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të shkollës në Komunën e Shuto Orizares është nën kompetenca të kryetari të kësaj komunës. Kohë më parë në një situatë të ngjashme Ministria e Arsimit konstatoi parregullsi dhe vendosi që të marrë këto kompetenca nga kryetari i komunës, të cilat siç edhe ministri i Arsimit, tashmë i janë rikthyer përsëri kryetarit Kurto Dudush. Bojkoti i mësimdhënësve vazhdon tashmë disa ditë. Në deklaratën e tyre të fundit thanë se kishin marrë edhe kërcënime për ndërprerje të grevës, por kishin frikë të tregojnë publikisht kush kë ka kërcënuar dhe në çfarë mënyre. Ushtruesja e detyrës, Besare Sejdi, tha se ndikimi politik është bërë ndaj personave që janë ngritur në grevë. Ajo thotë se nuk bën presion ndaj bojkotuesve dhe as nuk planifikon të hakmerret në të ardhmen. /alsat.mk