Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Me fillimin e vitit të ri, kontrollet ambulantore pothuajse janë dyfishuar krahasuar me vitin që lamë pas, kryesisht për shkak të gripit. Ankesat më të shpeshta lidhen me infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes. Aktualisht po qarkullojnë Influenza A dhe bokavirusi, një virus i ri që prek kryesisht traktin e sipërm respirator. Tek disa pacientë vërehen edhe simptoma gastrointestinale, si diarre, ndërsa te të tjerët mbizotëron kollitja, temperatura e lartë dhe dhimbje muskujsh.
“Mbas vitit të ri u shtuan gati 50 kontrolle i kemi pas në ditë….. kjo është shumë, herët e kaluara kanë qenë 15 deri në 30 pacientë në ditë…..sivjet ka pas më tepër, vitin e kaluar kemi pas më pak, sepse influenca A shumë ka depërtuar tek pacientët, nëse kanë ardhur në kohë më lehtë e kanë përballuar, nuk kanë pas komplikime tjera”, tha Safjane Bellçishta, mjeke.
Komplikimet e gripit mund të jenë serioze, sidomos te fëmijët, ku tek disa sëmundja ka përparuar edhe në pneumoni, duke kërkuar trajtim më të kujdesshëm mjekësor.
“Komplikimet nga gripi, tek fëmijët më tepër mund të merret meringit, ndezja e cipës së trurit, dhe mund të jetë me konvulsione tek ata pacientë, kemi pas dy fëmijë me konvulsione për shkak të temperaturës së lartë, si dhe mund të prek organet e pamjes. Kemi pas edhe komplikime prej virusit tek fëmijët që nënat nuk erdhën në kohë dhe u detyruan të shkojnë në institute janë 3-4 fëmijë prej ordinancës sonë dhe tek ata u paraqit penumonia”, u shpreh Safjane Bellçishta, mjeke.
Për mbrojtje nga virozat sezonale, mjekët apelojnë për konsumim të shtuar të lëngjeve dhe respektim të higjienës personale, e cila luan një rol kyç në parandalimin e përhapjes së infeksioneve. Njëkohësisht, ata rekomandojnë vaksinimin kundër gripit, i cili, sipas mjekëve, mund të realizohet deri në muajin mars dhe ofron mbrojtje të lartë nga format më të rënda të sëmundjes. /Alsat.mk



