Gazetare: Linda Ebibi
Piku i gripit që ka nisur nga fillimi i kësaj jave ka mbushur ambulancat. Më së shumti ka dominuar virusi influenca B, që ka qenë më i komplikuari që nga nisja e sezonit të gripit, dhe i cili ka përfshirë të gjitha grup moshat pa përjashtim. Gjatë kësaj jave vizitat ditore të pacientëve nëpër klinika ka qenë mbi 20 pacientë brenda ditës.
“Dominonte influenca e grupit B, d.m.th këtë javë kjo më tepër ishte dhe simptomat ishin pak më të rënda sepse kollitja te ata pacientë zgjatë më tepër dhe dhimbjet i kanë më tepër nëpër nyje dhe muskuj, te fëmijët më tepër ishte problemi me kollitjen dhe dhimbjen e veshëve si dhe me ndezje të sistemit urogenitar”, deklaroi Safjane Bellçishta, mjeke amë.
Mjekët thonë se fëmijët janë ata që më së lehti e përhapin gripin, ku mbas një jave rrezikon që e gjithë familja të infektohet me grip. Sipas tyre, faza e transmetimit të gripit akoma është aktive.
“Një fëmijë, nëse në një familje sëmuret, prej fëmijës shumë lehtë mund të përhapet, sepse fëmija nuk dinë, pasi fëmija lëvizë në të gjithë shtëpinë dhe mund të preken të gjithë anëtarët e shtëpisë, mirë po ata të tjerët mund të sëmuren mbas ditës së shtatë, d.m.th të gjithë familjen e kapën pas ditës së shtatë”, shtoi Safjane Bellçishta, mjeke amë.
Piku i gripit pritet të zgjasë deri në fund të këtij muaji, dhe më pas mjekët presin që situata me gripin të qetësohet. Ata apelojnë për kujdes të shtuar në këtë periudhë të ndjeshme, të mos neglizhohet gripi, pasi në shumë raste viruset sjellin komplikime tjera shëndetësore. Rekomandohet frekuentimi i hapësirave të mbyllura ku ka shumë njerëz, dalja në ambiente të jashtme kur është ajri i keq, mbajtja e maskave mbrojtëse dhe ruajtja e distancës. /Alsat.mk