Anëtarja e bordit të Telekomit të Kosovës, Besa Shatri Berisha, ka alarmuar kryeministrin Ramush Haradinajn për gjendjen në këtë ndërmarrje publike.
Duke i bërë thirrje për të marrë masa, ajo ka thënë se borxhi është duke u rritur dhe, sipas saj, kjo gjendje mund të jetë në kontrollë vetëm edhe për 12 muaj, shkruan gazetametro.net.
“Nëse nuk merren masa, borxhi do të arrijë deri në atë masë sa Qeveria do të humb pronësinë mbi telekomin, pasi ajo do të kalojë në pronësi të borxhlinjëve”, ka thënë Besa Shatri-Berisha.
Ndërkohë, kryeministri Haradinaj është shprehur mjaft i ashpër ndaj gjendjes në këtë korporatë, duke thënë se ‘Qeveria s’mbulon borxhet e asnjë kompanie publike’.
“Duhet ta jap një këshillë të hershme. Duhet të shihni për një përshtatje me tregun dhe për investitor, pasi nuk duhet pritur se Qeveria do të paguajë borxhet e një kompanie publike”, ka thënë Haradinaj.
E përballja e Haradinajt me anëtarën e bordit të Telekomit të Kosovës është mjaft interesante, pasi ajo është gruaja e deputetit të partisë së Haradinajt, Bekë Berishës.
AAK’ja ndërkaq është akuzuar se po synon që në krye të kësaj ndërmarrje të vendos një njeri nga partia e tij. Emri më i përfolur është Gent Begolli.