Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, nuk e dëshiron ndryshimin e pushtetit në vend, prandaj deri më tani nuk ia ka dhënë mandatin për krijimin e qeverisë shumicës së re parlamentare. Kështu ka thënë në një intervistë dhënë “Zërit” Artan Grubi, shefi i kabinetit të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, njëherësh deputet i parlamentit të Maqedonisë.
Sipas Grubit, rol jo të vogël pse Zaevi sot nuk është kryeministër dhe pse ekziston mundësia që të ketë trazira ndëretnike ka luajtur edhe partia e re shqiptare “Besa”, respektivisht qëndrimi publik i tyre.
Megjithëkëtë, Grubi beson se shumë shpejt do të vazhdojë seanca e ndërprerë, në të cilën pritet të zgjidhet për herë të parë në postin e kryetarit të Kuvendit një shqiptar. Duke folur rreth përfitimit të shqiptarëve me koalicionin e ri që pritet të ndodhë, Grubi ka treguar se tashmë janë marrë vesh me LSDM-në që gjuha shqipe të bëhet gjuhë zyrtare në çdo institucion dhe adresimi i menjëhershëm i rasteve të kontestuara gjyqësore si: “Monstra”, “Sopoti”, “Lagjja e Trimave” në Kumanovë do të jetë një tjetër prioritet i qeverisë së re.