Gazetar: Adrian Kerimi
Ish kryeministri Nikolla Gruevski vlerëson se shumë njerëz në Maqedoni të Veriut i frikohen kthimit të tij në shtet. Në intervistën për gazetën serbe “Politika”, Gruevski ka deklaruar se garnitura aktuale është duke u angazhuar për mos kthimin e tij, që sipas ish kreut të VMRO-DPMNE-së kjo ka për bazë interesa private dhe frikë, por pa precizuar emra. Duke akuzuar ish kryeministrin Zoran Zaev për shkatërrimin e shtetit siç ka cilësuar ai, Gruevski ka deklaruar se aleati i tij më i madh për momentin është kreu aktual i VMRO-së, Hristijan Mickoski.
“Fatkeqësisht, Mickoski në vend që të luftonte për ta mposhtur Zaevin në skenën politike dhe të ndihmonte në ndalimin e padrejtësisë që u bë ndaj meje dhe ish-kolegëve të mi përmes përndjekjes politike, ai u bë aleati më i madh i atij që krijoi dhe diktoi atë persekutim politik. Zaev i ka bërë dëme të pallogaritshme Maqedonisë, veçanërisht pikëpamjeve të tij për çështjet kombëtare”, deklaroi Nikolla Gruevski, ish kryeministër.
Lidhur me ndjekjet penale, akuzat dhe dënimet e shqiptuara, ish kryeministri i cili për momentin ndodhet në Budapest thotë se rolin dhe ndikimin më të madh në to e luan pasardhësi i tij Zaev.
“Përndjekja politike ndaj meje vazhdon me të njëjtin intensitet si në gjashtë apo shtatë vitet e fundit. Ndikimin më të madh në prokurori, gjykata dhe në media vazhdon ta ketë Zoran Zaev, i cili pa u lodhur i përkushtohet përndjekjes ndaj meje dhe ish-bashkëpunëtorëve të mi”, tha Nikolla Gruevski, Ish kryeministër.
Duke folur mbi ndryshimet kushtetuese, Gruevski ka deklaruar se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është çështja më e vogël, por sipas tij më pas do të ketë kërkesa më të komplikuara të cilat do të lidhen me gjuhën dhe identitetin maqedonas. Paraqitjet e Gruevskit në media janë aktualizuar kryesisht pas pretendimeve të dala në opinion se zyrtarë të caktuar po negociojnë për amnistinë dhe kthimin e tij në vend. Gruevski tashmë disa herë ka hedhur poshtë këto pretendime duke sqaruar se për momentin nuk planifikon kthimin e tij në shtet, për aq kohë sa siç thotë ai, vazhdon përndjekja politike ndaj tij. /Alsat.mk