Gruevski për Ahmetin: Në fillim kishim mosbesim por tani jemi stabilizuar, kemi bërë shumë gjëra bashkë!

Kryetari i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski i pyetur se cilat janë raportet me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti në intervistën për Gazetën Express ka thënë se në fillim kishte mosbesim, por më pas ka ecur mirë, duke realizuar shumë gjëra bashkërisht.

Ja përgjigja e plotë:

Gruevski: Marrëdhëniet e mia me Ahmetin janë kryesisht zyrtare. Të dy ne, si kryetarë të dy partive më të mëdha, kemi bashkëpunuar dhe dialoguar. Në fillim kishte shumë mosbesim, por me kalimin e viteve, gjendja u stabilizua. Kemi zgjidhur shumë gjëra bashkë dhe kemi krijuar vepra të rëndësishme për të gjithë qytetarët. Është fakt se gjatë mandatit tonë ne kemi hapur më shumë se 170,000 vende pune në Maqedoni dhe numri i të punësuarve që atë kohë ishte 560,000 tash është rritur në 730,000 të punësuar në nivel vendi. Kjo betejë është për secilin qytetar, pa marrë parasysh përkatësinë e tij etnike. Së bashku e kemi ngritur Maqedoninë në vendin e 5 në Evropë dhe të 10 në botë në listën e të bërit biznes, së bashku arritëm të liberalizojmë vizat dhe kemi harmonizuar legjislacionin me BE-në. Vendi ka shënuar progres në shumë drejtime. Duke lënë anash opinionin e përgjithshëm, të krijuar kryesisht nga mediat dhe OJQ-të, të mbështetura nga Soros-i, të dy partitë tona kanë përmirësuar seriozisht të drejtat e komuniteteve më të vogla në Maqedoni sa i përket përdorimit të gjuhës, simboleve, edukimit, decentralizimit, përfaqësimit ligjor, atë në sektorin publik dhe në administratë, por po ashtu edhe shumë çështje tjera në raport me Kosovën dhe Shqipërinë, që janë shumë të rëndësishme për shqiptarët e Maqedonisë. Për fat të keq, patëm edhe një shkarje serioze: lejuam mediat dhe OJQ-të e mbështetura nga Soros-i të zbehin të gjitha përpjekjet tona dhe rezultatet, sidomos në rrafshin ndëretnik, për t’i njollosur ato rezultate, për të më portretizuar mua si armik i shqiptarëve, dhe Ahmetin person që është shumë tolerant ndaj kësaj gjendjeje. Kjo nuk është e vërtetë, por në politikë, perceptimi është i rëndësishëm po aq sa edhe e vërteta. Ne duhet mësuar nga kjo dhe nuk duhet lejuar të na përsëritet në të ardhmen. E them me përgjegjësi se gjatë mandatit të VMRO-DPMNE-së kemi bërë pakrahasimisht dhe me siguri të plotë, avancimin më të madh sa u përket të të drejtave të komuniteteve të ndryshme etnike. Megjithatë, dikush krijoi një perceptim tjetër. Mbeten edhe shumë sfida, në të gjitha fushat, përfshirë edhe integrimet euro-atlantike.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme