Të hënën në Bruksel zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, dikur bashkëpunëtor i ngushtë i diktatorit serb, Slobodan Milosheviq, kur këta tentonin të realizonin projektin e Serbisë së madhe, është shprehur se si duhet shikuar nga e ardhmja e Ballkanit në BE e jo nga e kaluara.
Ai, herë seriozisht e herë duke u tallur, ka folur për deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për bashkimin e shqiptarëve. Edhe komisari Johannes Hahn, i cili ka pasur takim me zëvendëskryeministrin e Serbisë, Daçiq, pasi ka lavdëruar Serbinë për “rolin konstruktiv në rajon”, ka dënuar ato që i ka quajtur “deklarata nxitëse” për ndryshimin e kufijve (duke iu referuar deklaratave të Ramës dhe Thaçit) dhe ka thënë se me deklarata të tilla nuk mund të arrihet asgjë, se duke kërcënuar BE-në ato deklarata mund t’u “kthehen si goditje vetë atyre që i kanë dhënë ato”, shkruan sot Koha Ditore.
Hahn ka rikujtuar se në takime të përbashkëta liderët e rajonit janë pajtuar për sjellje konstruktive dhe për mbështetjen e njeri-tjetrit në rrugën evropiane.
“I shpreh mirënjohje Serbisë për rolin konstruktiv në rajon dhe dua të shpreh zhgënjimin tim për disa deklarata nxitëse nga disa liderë në rajon. Deklaratat e tilla që mund të konsiderohen si ndërhyrje në shtetet fqinje dhe të nënkuptojnë ndryshimin e kufijve janë të papranueshme, janë më shumë sesa të panevojshme dhe janë kundërproduktive”, ka thënë komisari evropian për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit, Johanes Hahn.