Në përfundim të punimeve të konferencës rajonale për Mediat, Komisioneri për Zgjerimin Johanes Hahn theksoi se dy janë gjërat e panegocueshme për vendet e BE dhe ato që aspirojnë anëtarësimin.
“Ne duam të shikojmë arritje të qëndrueshme për reformën në gjyqësor dhe gjithashtu edhe në lirinë e medias. Këto besoj do të jenë të panegociueshme për vendet anëtare. Vështirësia, përveç tek unë si Komisioner Zgjerimi është edhe tek politikanët europianë. Ata duhet t’u shpjegojnë qytetarëve në vendet e tyre përse është në interesin e vendit të tyre zgjerimi i Bashkimit Europian”, deklaroi Komisioneri.
Komisioneri Hahn u pyet dhe për deklaratën e Kryeministrit Edi Rama mbi mediat.
“E di që ka patur kritika në drejtim të tij, por nuk dua të bëj më shumë komente në lidhje me këtë. Ai ishte fjalimi i tij dhe ju keni të drejtën që të reagoni për atë. Mendoj që edhe politikanët kanë të drejtën të shprehin pikëpamjet e tyre. Është gjithnjë diskutimi për përdorimin e fjalëve të duhura, por kjo është pjesë e jetës sonë të përditshme. Të gjithë kanë të drejtën të shprehin pikëpamjet e tyre, por është edhe e drejta e reagimit. Megjithatë, sipas meje i gjithë ky proces në shoqëri duhet të udhëhiqet nga respekti i ndërsjelltë mes individëve”, u përgjigj Hahn.
Lidhur me hapjen e negociatave për Shqipërinë, Komisioneri u shpreh optimist, edhe pse më parë do duhet të merret mendimi i të gjitha shteteve anëtare.
Duke u ndalur tek mendimi i shteteve anëtare, Komisioneri dha dhe një mesazh për takimin e Kretës mes Bushatit dhe Kotzias.
“Mendoj se fakti që po ulen së bashku, jo vetëm për disa orë, por për një fundjavë të tërë është diçka e mirë. Siç duket është një atmosferë që ka shkaktuar impakt dhe pres të dalin që andej me diçka të rëndësishme. Nuk dua të bëj koment. Ajo që më duket e rëndësishme deri më tani është që përfaqësuesit po ulen së bashku”, deklaroi Hahn.