Komisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn e cilësoi si “një zhgënjim ekstrem”, mos arritjen e dakordësisë mes udhëheqësve të vendeve të BE për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk arritën të zbatojnë angazhimin e tyre për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në Këshillin Evropian”, tha Hahn.
Ky, shtoi Hahn, “është një zhgënjim ekstrem. BE tani duhet të sqarojë se sa serioz është angazhimi i tyre për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE”.
“I falënderoj të gjithë ata që natën e kaluar vunë gjithë peshën e tyre për të arritur një vendim me rëndësi të madhe strategjike për BE dhe për dërgimin e një sinjali shprese tek qytetarët e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh ai.
“Siç u tha tashmë në Luksemburg: Ky nuk është një moment lavdie për BE. Refuzimi i njohjes së përparimit të provuar do të ketë pasoja negative, përfshirë rrezikun e destabilizimit të Ballkanit Perëndimor, me ndikim të plotë në BE”, tha Hahn.
“Është përgjegjësia jonë tani të qëndrojmë me vendet, qytetarët e të cilëve janë të me të drejtë të zhgënjyer në maksimum”, tha Hahn. Ai u shpreh se, “do të vazhdojë të bëjë gjithçka në fuqinë time për t’i mbështetur ata. Integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor është dhe mbetet një politikë e rëndësishme strategjike, në interesin tonë të ndërsjellë”.