Themelues i shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati aktivitetin e tij human thotë ta ketë nisur 7 vite më parë me hapjen e kuzhinës humanitare në Komunën e Prizrenit, ku në baza ditore ushqehen mbi 300 persona. Për këtë veprim, ai thotë të jetë inspiruar gjatë kohës së luftës për aq kohë sa kishte qenë refugjat.
Kastrati, në një intervistë për “Gazeta Blic” ka treguar se përveç këtij aktiviteti, shoqata ndan edhe pagë mujore për fëmijët jetim, ndërton shtëpi dhe dhuron banesa për familjet pa strehim.
Tani ai thotë se më së paku ka vështirësi të grumbulloj fonde për t’iu dalë në ndihmë familjeve, kjo pasi që sipas tij donatorët janë të rregullt në kontributin e tyre.
Që nga koha kur ka nisur të merret me aktivitete humane, Kastrati thotë se ka strehuar 80 familje me kushte jo të mira ekonomike. Ai bën të ditur se kanë nisur një aktivitet më të madh human, kështu duke bërë me shtëpi ose banesë çdo javë nga një familje.
E në gjithë këto aktivitet, për Kastratin nuk mungojnë edhe momentet e ndjeshme. Ai ka rrëfyer ekskluzivisht për “Gazeta Blic” disa nga rastet më të paharrueshme që i kanë ndodhur në vitet e fundit.
“Janë bërë shumë raste dhe më të vërtetë ka shumë prej tyre që ne do i mbajmë në kujtim përgjithmonë shembull: rasti i Bledarit 7 vjeçar që nuk ka ecur asnjëherë dhe tani falë ndihmës së ofruar nga ne përmes donatorëve tanë, Bledari tani ecë me këmbët e tij, pastaj rasti i nënës Hafizës nga Skenderaj që përveç që i kemi bërë me banesë ja kemi siguruar edhe mjetet për operimin e saj në dy sytë dhe pas 44 vitesh ajo tanimë sheh, rasti i Xhelalit nga Gjilani, rast që nuk do ta harrojmë kurrë e kemi gjetur në një situatë shumë të rëndë dhe pa askënd, pa babë e pa nënë, pa vëlla e pa motër edhe pa shtëpi. Jetonte me një stallë. Tani është duke ju ndërtuar shtëpia”, është shprehur ai.
Kastrati, është deklaruar edhe për ftesat për inkuadrim në politik që pohon t’i ketë marrë si dhe synimet e tij tjera në misionin humanitar.
Gazeta Blic: Çka ju ka shtyrë të merreni me humanizëm?
Kastrati: Kam qenë refugjat gjatë luftës dhe atje me ka hy në zemër humanizmi edhe pse edhe më herët kam pas shumë dëshirë të jem në shërbim të nevojtarëve por pasi arrita në mërgim, aty jam ushqyer në një kuzhinë humanitare dhe nga aty kam vendos se një ditë kur do të kthehem në Kosovë do ta bëj të pamundurën për ta hapur një kuzhinë të tillë dhe falë Zotit dhe njerëzve të vullnetit të mirë sot kuzhina humanitare në qytetin e Prizrenit ka hyrë në vitin e 7 të funksionimit të saj dhe aty ushqehen mbi 300 persona në ditë.
Gazeta Blic: Ju drejtoni shoqatë humanitare atë “Jetimat e Ballkanit”. A mund të na flisni për aktivitetet e saj?
Kastrati: Shoqata jonë ka katër aktivitete bazë, kuzhina humanitare, pagë mujore për fëmijë jetim, aksion me pako ushqimore në terë territorin e Kosovës dhe me gjerë si dhe ndërtimi i shtëpive apo dhurimi i banesave për familjet që nuk kanë strehim.
Gazeta Blic: Si bëhet përzgjedhja e familjeve më nevojë?
Kastrati: Nga aksioni me pako ushqimore, aty edhe selektohen familjet të cilat kanë nevojë për strehim, pastaj hynë në procesin e verifikimit dhe nëse është krejt në rregull atëherë hyn në listën e familjeve që do të bëhen me strehim. Familjet që posedojnë truall atëherë ju nis ndërtimi i shtëpisë ndërsa familjet që nuk kane truall ju dhurohet banesë.
Gazeta Blic: Sa keni vështirësi për të mbledhur fonde?
Kastrati: Tani me shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit” ka arritur të fitojë besimin e masës dhe nuk shohim vështirësi në grumbullimin e ndihmave edhe pse fillimi ka qenë shumë i vështirë. Sot “Jetimat e Ballkanit” nuk dalin të kërkojnë ndihmë sepse donatorët tanë tani më janë të rregullt.
Gazeta Blic: Cili është numri i shtëpive të ndërtuara deri më tani dhe banesave të shpërndara?
Kastrati: Shtëpia dhe banesa gjithsejtë janë 80 sosh. Ja vlen të theksojmë që tani me planin e punës tonë është që çdo javë ta gëzojmë një familje qoftë me banesë apo me shtëpi të re.
Gazeta Blic: A mund të na përmendi ndonjë rast që nuk mund ta harroni nga aktiviteti juaj human?
Kastrati: Janë bërë shumë raste dhe më të vërtetë ka shumë prej tyre që ne do i mbajmë në kujtim përgjithmonë shembull: rasti i Bledarit 7 vjeçar që nuk ka ecur asnjëherë dhe tani falë ndihmës së ofruar nga ne përmes donatorëve tanë, Bledari tani ecë me këmbët e tij, pastaj rasti i nënës Hafizës nga Skenderaj që përveç që i kemi bërë me banesë ja kemi siguruar edhe mjetet për operimin e saj në dy sytë dhe pas 44 vitesh ajo tanimë sheh, rasti i Xhelalit nga Gjilani, rast që nuk do ta harrojmë kurrë e kemi gjetur në një situatë shumë të rëndë dhe pa askënd, pa babë e pa nënë, pa vëlla e pa motër edhe pa shtëpi. Jetonte me një stallë. Tani është duke ju ndërtuar shtëpia. Rasti i agjës Anton nga Prizreni, një plak i lodhur e i rraskapitur, i braktisur nga të gjithë e kemi gjetur duke jetuar me minj dhe insekte tjera, e kemi hequr nga aty dhe e kemi sjellur në selinë tonë, e kemi mbajtur një javë tek ne duke e larë e duke e ushqyer dhe pastaj e kemi dorëzuar në shtëpinë e pleqve në Prishtinë e shumë e shumë raste tjera.
Gazeta Blic: A ka prej atyre donatorëve që japin shuma të mëdha financiare dhe nuk pranojnë tu zbulohet emri?
“Po ka donator që kanë dhënë mbi 40 mijë euro dhe kanë dashur të ngelin anonim për publikun”
Kastrati: Ka edhe prej atyre që kanë dhuruar banesën e tyre të re dhe kanë dashur të ngelin anonim. Ja vlen të theksojmë se të gjithë donatorët tanë janë shqiptar nga të gjitha trojet tona si dhe nga diaspora.
Gazeta Blic: Sa familje mendoni t’i bëni me strehim brenda këtij viti?
Kastrati: Ashtu siç e potencuam edhe më lartë mendojmë që planin që e kemi që çdo javë ta gëzojmë një familje me strehim të vazhdojmë pa ndërprerë për krejt vitin ashtu siç kemi vazhduar që dy vite.
Gazeta Blic: A mendoni të futeni në politikë me qenë se tashmë keni fituar simpati nga një pjesë e madhe e qytetarëve. Nëse po, cilës parti do t’iu bashkoheshit?
Kastrati: Jo, nuk mendoj të hy në politik edhe pse para 6 viteve ndoshta edhe kam pasur ambicie për politik. Gjithmonë e kam thënë dhe e them, e lus Zotin që këtë mision të vazhdojë deri në vdekje. Misioni që e kemi marrë përsipër është shumë i shenjtë dhe nuk krahasohet me asnjë post tjetër. Ta kthesh lotin e mërzisë në lot gëzimi, të jetosh me uratat e tyre dhe të gjithë shqiptarëve nuk ka kënaqësi më të madhe.
Gazeta Blic: Keni pasur ftesa për tu bërë pjesë e ndonjë partie?
Kastrati: Po kemi pasur ftesa por siç e thashë nuk mendoj t’i qasëm politikës, shpresoj dhe e lus Zotin që çdo nevojtari t’i trokas në derë dhe të bëhem urë lidhëse në mes tyre dhe donatorëve.
Gazeta Blic: Kur do ta ndërpreni aktivitetin tuaj human?
Kastrati: Me dëshirën time aktivitetin humanitare do ta ndërpres me vdekjen time. Uroj që popullit tim t’i përmirësohet gjendja sociale dhe të kemi sa më pakë nevojtarë dhe të pastrehe.