Kryesuesi i seancës së Kuvendit, Xhavit Haliti, dhe deputeti i LDK-së, Anton Quni, kanë pasur një përplasje me fjalë në nisje të vazhdimit të seancës së Kuvendit.
Haliti ka nisur fjalën duke thënë se Quni ka gënjyer publikisht në një emision televiziv kur ka thënë se “Haliti ka marrë 9 milionë marka nga Ahmet Krasniqi për UÇK-në”. Ai ka kërkuar fakte për këtë dhe ka shtuar se do të dorëhiqet nëse vërtetohet një gjë e tillë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Qunit që ka thënë se shifrën e saktë mund ta zbulojë dhe do të publikojë në detaje ditën, datën, shifrën e gjithçka tjetër në lidhje me këto ngjarje të kohës së luftës.
“Kur e kemi diskutuar ligjin për veteranët dhe kur unë e kisha fjalën ndër shumë gjëra që kam potencuar ishte se ju personalisht keni marrë të holla nga Ahmet Krasniqi. Kam thënë se është fjala për një shifër shtatëshifrore. Mbrëmë e kam cek saktësisht. Çfarë ka të keqe nëse ky fond ka qenë për ndihma urgjente për UÇK-në. Nuk ka asgjë sekrete. E kanë fol edhe shumë të tjerë. Edhe shokë tuaj, të idealit, partisë e organizimit. Nëse dëshironi fakte, unë do t’i siguroj. S’jam i sigurt, 6, 7 apo 8, por do t’i siguroj të gjitha faktet që të saktësojnë me ditë, me datë, me ngjarje, me zhvillime, që ju këtë shumë e keni pranuar personalisht me autorizim të Krasniqit”, është shprehur Quni.
Haliti ka marrë sërish fjalën duke thënë se Qunin e ka njohur vetëm pas luftës, ndërsa për marrëveshjet ekonomike ka qenë në njohuri vetëm Bujar Bukoshi, kryeministër i asaj kohe.
“Ke rrejt. Ti s’di asgjë për këtë punë. S’kanë qenë as shokët e tu. Ka qenë prezent Agim Mehmeti, është biseduar me Bujar Bukoshin, e di edhe Isa Mustafa. Ju tjerët ishin ushtarë. Juve ju konvenon të flisni për njerëzit e vdekur të UCK-së, sepse të gjallët s’kanë rëndësi”, është shprehur Haliti.