Gazetar: Suad Bajrami
Pas bisedimeve disamujore për fatin e Aleancës për Shqiptarët në qeveri, Arben Taravari përfundoi në opozitë, shkruan Alsat.
Largimin, e arsyeton dhe mbështet në çështjet etnike duke përmendur Balancerin, por edhe ligjin për përfaqësim të drejtë dhe punësimet etnike nëpër institucione.
“Kryesisht ishin plot gjëra që bëhej fjalë për çështje etnike. Balanceri u hoq, ne kërkuam ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, na premtohej nëntor, dhjetor, janar, shkurt, u bë maji askund nuk është ligji. Ka edhe pakënaqësi tjera të cilat na i thonë qytetarët në përditshmëri. Kryesisht bëhet për margjinalizimin e shqiptarëve në administratë dhe punësimin masiv të maqedonasve dhe pjesëmarrja e vogël e shqiptarëve që punësohen nëpër institucione shtetërore”, tha Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.
Sa i përket heqjes së Balancuesit, Taravari në disa dalje publike ka shfajësuar veten dhe qeverinë, duke theksuar se atë e ka bërë Gjykata Kushtetuese, ndërsa ligjin për përfaqësim të drejtë, së shpejti do ta bëjnë, duke kërkuar mirëkuptim pasi që BDI-ja ka premtuar rrugën 16 vite Shkup Bllacë dhe nuk e ka bërë, ndërsa për ligjin nevojiten vetëm disa javë.
“Balancuesin nuk e ka hequr as VMRO-ja, as Qeveria, por e ka sjell vendimin Gjykata Kushtetuese e cila e ka pasur atë lëndë në sirtar për 3-4 vjet dhe nuk e ka shqyrtuar. E thash edhe në Parlament sot, zotëri Ahmeti rrugën Bllacë – Shkup e ka premtuar në vitin 2008, sot jemi 2024, 16 pas asaj askush prej gazetarëve nuk doli ta pyet zotëri Ahmetin pse janë vonuar kaq për këtë rrugë. Është pyetur zotëri Taravari, kur ka qenë në këtë studio. Janë në pyetje disa javë. Po shpresoj edhe ligji të mos vonohet aq? Jo, jam i sigurt. Sepse përfaqësimi i drejt adekuat është kategori kushtetuese”, kishte thënë në nëntor të 2024-së, Arben Taravari.
Taravari u arsyetua se po del nga qeveria edhe për atë se po punësohen masivisht maqedonas, ndërsa po largohen nga puna shqiptarët. Megjithatë, derisa akuzohej nga BDI-ja se Ministria e Shëndetësisë po mbushet me maqedonas, ndërsa po largohen nga puna shqiptarët, Taravari është përgjigjur:
“E thash, kanë tendenca si Gebelsi. Të thonë, 100 herë e them bëhet e vërtetë, por s’është e vërtetë. Në qoftë se janë larguar 10 – 20 shqiptarë, edhe atë që kanë kontrata në vepër dhe aspak nuk shkojnë në punë ose janë të papërgjegjshëm në punë janë larguar edhe maqedonas, jo vetëm shqiptarë. Unë e them me përgjegjësi në Qendrën Klinike vetëm aty, në qoftë se janë larguar 20 janë punësuar me siguri katërfish më shumë në këtë periudhë”, ishte shprehur në shtator të 2024-së, Taravari.
Në fakt, thelbi i konfliktit i cili kulmoi me ndarje nga VLEN dhe më pastaj dhe dalje nga Qeveria, është kontakti i tij me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, të cilat fillimisht i quajti si kanale komunikimi, pastaj e pranoi se ka pasur bisedë telefonike, ndërsa krejt në fund u zbulua se është takuar 3 herë fshehurazi.
Vetëm para tre javësh, për pjesëmarrjen e tij në Qeveri, Taravari e la këtë në vullnetin e kryeministrin Hristijan Mickoski.
“Qeverinë e bën kryeministri. Nëse kryeministri, unë kam biseduar me kryeministrin. Sërish do të bisedojmë dhe nëse ai vlerëson se Aleanca për Shqiptarët nuk duhet, ne nuk kemi kurrfarë problem”, pati thënë në prill të 2025-së, Taravari./ Alsat.mk