Kisha e parë e ndërtuar në Türkiye që nga themelimi i republikës së saj në vitin 1923, hapi dyert e saj për besimtarët të dielën me një ngjarje ku mori pjesë edhe presidenti Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu.
Duke folur në ceremoninë e hapjes së kishës në rrethin Yeşilköy në anën evropiane të Istanbulit, Sait Susin, president i Fondacionit Asirian Kadim të Istanbulit, tha se hapja e Kishës Ortodokse Asiriane “Mor Ephrem” shënon një ditë historike.
Duke nënvizuar se kisha po hapet në njëqindvjetorin e Republikës së Türkiyes, Susin tha se të gjithë njerëzit e besimeve të ndryshme në vend, përfshirë asirianët, kanë përjetuar shumë “gjëra të para” gjatë 20 viteve të fundit.
Themeli i kishës u hodh në një ceremoni në vitin 2019, ku mori pjesë edhe Erdoğan.
Ajo u projektua si një projekt pesëkatësh në një zonë të zbrazët të një varreze katolike latine në Yeşilköy.
Një kat është rezervuar si sallë kulturore për komunitetin për t’u takuar pas meshave ose ceremonive, si pagëzime, funerale dhe dasma, si dhe për takime dhe konferenca. Në katin e parë janë dhomat e peshkopit, dhomat e miqve dhe një parking.