VOLTIZA DURO/ Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nisjen e një epoke të re në arsimin profesional me krijimin e Arsimit Profesional Dual, i cili krijon mundësi që nxënësit të mësojnë pranë sipërmarrjeve.
Deri më 14 gusht, mjekët dhe infermierët mund të aplikojnë për të përfituar nga programi i qeverisë për dhënie kredie për blerje banese me 0 për qind interes. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka bërë me dije se kjo është thirrja e dytë për kredi të lehtësuara për profesionistët e shëndetësisë, ku në dispozicion janë 45 kuota, për mjekët dhe infermierët. Aplikimi është i hapur në platformën “e-Albania”.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ju bën me dije se, bazuar në Ligjin nr. 22/2018, ‘Për strehimin social’, të ndryshuar, Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 468, datë 26.7.2023 ‘Për trajtimin me kredi të lehtësuar të të punësuarve në administratën publike për blerjen e banesës’ dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 400, datë 24.06.2024 ‘Për miratimin e kuotave të përgjithshme të kredive të reja për kategoritë prioritare të të punësuarve përfitues në administratën publike’ hap thirrjen për 45 kuota për trajtimin me kredi të lehtësuar për strehim të kategorive prioritare, ku prioritet do të kenë kategoritë ‘Mjekë’ dhe ‘Infermierë’. Ftohen të gjithë të interesuarit të aplikojnë nëpërmjet portalit ‘e-Albania’”, – bën me dije MSHMS.
Kjo e fundit shton më tej se qeveria shqiptare dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbështesin profesionistët e rinj të shëndetësisë, të cilët çdo ditë i shërbejnë me përkushtim dhe profesionalizëm qytetarëve.
APLIKIMI DHE DOKUMENTACIONI
Shërbimi elektronik “Aplikim për trajtimin me kredi të lehtësuar të të punësuarve në administratën publike për blerjen e banesës” u mundëson aplikantëve të aplikojnë për të përfituar nga trajtimi me kredi të lehtësuar për blerjen e banesës. Aplikantët që mund të aplikojnë duhet të jenë të punësuarit në institucionet e administratës publike, sipas kategorive të mëposhtme: Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Aplikim për trajtimin me kredi të lehtësuar të të punësuarve në administratën publike për blerjen e banesës bazohet në VKM Nr. 468, datë 26.7.2023 ,Për trajtimin me kredi të lehtësuar të të punësuarve në administratën publike për blerjen e banesës, si dhe VKM Nr. 400, datë 19.6.2024 ,Për miratimin e kuotave të përgjithshme të kredive të reja për kategoritë prioritare të të punësuarve përfitues në administratën publike,. Dokumentacioni që mjekët e infermierët duhet të sigurojnë për të vijuar me aplikimin e tyre ndahen në dokumente që sigurohen nga nëpunësit e administratës si dhe në dokumente që ngarkohen nga aplikanti. Përkatësisht në dokumente që sigurohen nga nëpunësit e administratës përfshihet një vërtetim që punonjësi është i punësuar me kohëzgjatje të pacaktuar në institucionet publike të arsimit parauniversitar; (Për aplikantët e punësuar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit).
Ndërkohë në dokumente që ngarkohen nga aplikanti përfshihen: kopja e certifikatës së pronësisë për banesën që ka në pronësi nën normat e strehimit, së bashku me rivlerësimin e banesës (nëse ka pasuri të paluajtshme në pronësi); vërtetim negativ nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, që në emër të kryefamiljarit dhe anëtarëve të tjerë të familjes, sipas certifikatës së gjendjes familjare, nuk figuron banesë e regjistruar ose në proces regjistrimi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë (nëse nuk ka pasuri të paluajtshme në pronësi); marrëveshje noteriale për bashkëjetuesin/en (nëse ka bashkëjetues/e).
“Mbledhja e dokumentacionit shoqërues të mësipërm që më parë ishte detyrim të dorëzohej në zyrat e shtetit nga vetë aplikanti, tani është detyrë e nëpunësit të administratës ndaj qytetarit. Me dhënien e aprovimit, ju bini dakord që këto dokumente të sigurohen për ju nga nëpunësi i administratës”, – thuhet në njoftim.
Për të kryer aplikimin, fillimisht identifikohuni si qytetar në portalin “e-Albania” zgjidhni shërbimin “Aplikim për trajtimin me kredi të lehtësuar të të punësuarve në administratën publike për blerjen e banesës” dhe më tej klikoni butonin “Përdor”. Më tej plotësoni të dhënat e kërkuara në formular dhe ngarkoni dokumentacionin e specifikuar e më pas klikoni butonin “Dërgo”.
Aplikimi juaj do të merret në shqyrtim nga Komisioni përkatës i Vlerësimit. Përzgjedhja bëhet nga Komisioni në bazë të një vlerësimi të pikëzuar, të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave që miraton kuotat e përgjithshme të kredive të reja për kategoritë prioritare të të punësuarve, përfitues në administratën publike.
“Në rast miratimi apo refuzimi, ju do të lajmëroheni në rubrikën “Hapësira ime”, te “Mesazhet e mia”, përfshire dhe arsyen e refuzimit, ose në rast miratimi do të udhëzoheni për procedurat që duhet të ndiqni për fazën pasardhëse. Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit është 30 ditë pune dhe ky shërbim është pa pagesë”, – bën me dije Ministria e Shëndetësisë.
Sakaq më herët ministrja Albana Koçiu vizitoi një prej këtyre familjeve përfituese të cilat vetëm gjatë vitit të shkuar ishin mbi 85 mjekë, teksa janë hapur edhe aplikimet e reja.
“Ne vjet për herë të parë hapëm programin e kredive për blerjen e banesës me kredi të lehtësuar ose më saktë më kredi me interes 0% nga shteti. Kishim vënë 100 kuota në dispozicion, plotësuam 85 kuota, pra 85 mjekë që aplikuan dhe përfituan nga ky program. Ndërkohë që e kemi rihapur sërish këtë vit aplikimet me 45 kuota, tani kemi përfshirë dhe infermierët dhe kjo është risia”, – u shpreh Koçiu.