Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut hapën zyrën e parë ndërlidhëse afër kufirit mes dy vendeve, me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve mes tyre, sipas asaj që shkruan agjencia e lajmeve “Reuters”.
Zyra e hapur në zonën kufitare, Kaesong, të Koresë së Veriut përbën vetëm një nga disa hapat e marrë mes dy vendeve, me synim arritjen e pajtimit. Kjo zyrë është e para e llojit të saj, prej kur dy Koretë janë ndarë në fund të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945.
Deri më tani, dy Koretë kanë përdorur telefonin dhe komunikimet e modelit të faksit, kur kanë planifikuar takime apo kanë ndarë informacione. Mirëpo edhe këto kanale, shpesh janë pezulluar për shkak të tensioneve të lidhura me programin bërthamor të Koresë së Veriut.
Në takimin paraparak me kreun e Koresë së Jugut, Moon Jae-in, por edhe në samitin tjetër të zhvilluar me presidentin amerikan, Donald Trump, udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un ka shprehur përkushtimin e tij për denuklearizim të plotë të gadishullit Korean.
Pavarësisht këtyre deklaratave, zyrtarët amerikanë kanë kërkuar hapa më të mëdhenj nga koreano-veriorët për të vërtetuar përkushtimin e tyre në këtë aspekt.