U bënë gati tri javë që prej se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri të ditur nismën e tij ligjore dhe politike për ndryshimin e mandatit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, përmes përgatitjes së Ligjit të ri për FSK-në, i cili qëmoti njihej si Plani B për krijimin e Armatës së Kosovës, nëse nuk do të ketë sukses përpjekja që Forcat e Armatosura të Kosovës të krijohen nëpërmes të Amandamentimit të Kushtetutës.
Duket që tani mund të bëhet një lloj rekapitulimi i qëndrueshëm, çfarë ndodhi deri më tash në politikën kosovare, dhe në atë ndërkombëtare, në ndërmarrjen e cila njeh si cak final të vetin bërjen e Kosovës me Ushtri, një element i paqenë deri më tash i sovranitetit të shtetit.
Së pari, u pa që Kosovës i ka munguar një debat i këtij lloji, i cili mirret me një temë shumë të rëndësishme për vendin. Pakkush ka mundur të pres, vetëm pak javë më parë, që dialogu publik politik për temën e transformimit ligjor të FSK-së, do të bëhej në këtë mënyrë, pa përplasje, me ofrimin e argumenteve të të gjitha llojeve, me synimin e thuaja të gjithë pjesëmarrësve, veçmas të atyre që janë pjesë e skenës politike të vendit, për të lehtësuar konkludimin e suksesshëm të këtij operacioni legal dhe politik. Në këto shkëmbime të mendimeve, ideve dhe propozimeve, ka mbizotëtuar një maturi e munguar në politikën e vendit, tash e gati tre vjet. Diçka e tillë është e mirëseardhur, po aq sa është edhe një e papritur, një befasi.
Së dyti, debati publik për çështjen e bërjes së Ushtrisë së Kosovës, ka shfaqur një konsensus të plotë në politikën kosovare, dhe atë në dy rrafshe. Është pritur që të gjitha entitetet politike në Kosovë, si parlamentare ashtu edhe ato jashtëparlamentare, të rreshtohen prapa kësaj nisme, sepse krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës, shihet si një interes jetik për vendin, për stabilizimin e gjendjes në Kosovë, për rrumbullakësimin e të gjitha elementeve të shtetësisë, për përgatitjen e Kosovës për sprovat rajonale dhe ndërkombëtare, të cilat kanë nisë të marrin trajtat e rrezikshme, në vijim të ngjarjeve të ditura përreth nesh dhe në Evropë. Megjithatë, rrafshi i dytë i pajtimit të gjithanshëm në politikën kosovare, poashtu mund të llogaritet si një kualitet që nuk është hetuar tash e shumë vjet ndër ne. Të gjitha entitetet politike në vend, së bashku me atë po-në e padiskutueshme për krijimin e Ushtrisë, njëkohësisht kanë theksuar që Ushtria duhet të bëhet në partneritet të plotë me SHBA-në dhe Paktin NATO. Edhe këtu ka ardhë në shprehje një maturi politike që kishte ‘ikur’ diku tash e tri vjet thuaja në të gjitha temat tjera politike që janë trajtuar në Kosovë.
Së treti, porositë publike (dhe jo vetëm publike), që janë sipërfaqur nga ana e SHBA-së (përmes Ambasadës), dhe nga Pakti NATO (nëpërmjet të Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenbergut), janë veçuar nga disa momente shumë të rëndësishme. U konfirmua pra, që SHBA dhe Pakti NATO në parim mbështesin procesin e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës. Këtu nuk ka aspak dyshim. Kosova duhet ta ketë Ushtrinë e vet, dhe ky, për më shumë, është njëri prej dy kushteve themelore (i dyti është normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë), për përmbylljen e Misionit të KFOR-it në Kosovë. Por, në anën tjetër, u pohua që duhet provuar që transformimi i FSK-së të bëhet me Amandamentimin e Kushtetutës së Kosovës. Thënë ndryshe, që ende nuk është shterrë përpjekja që të binden deputetët e komunitetit serb që edhe ata ta mbështesin këtë proces i cili është në të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Së katërti, tash e tre javë, në realitet, po bëhet shterrja e kësaj përpjekjeje të autoriteteve të Kosovës që përmes amandamentimit të Kushtetutës së ndodhë krijimi i Armatës së Kosovës. Përfaqësuesit e ‘Listës Serbe’, si dhe vet lidershipi i Serbisë, nuk po lënë vend për dyshim: Qëndrimi i tyre është krejtësisht negativ, dhe nuk pritet ndryshim i tij, as në muajtë dhe vitet e ardhshme.
Kur të bëhet pra rrumbullakësimi i të gjitha këtyre momenteve kyç në çështjen e FSK-së, mund të konkludohet që në realitet, është bërë mirë që kjo temë është ngrit për debat dhe për vendimmarrje, dhe që hapi final është ai i marrëveshjes midis nesh, SHBA-së dhe Paktit NATO ku do të konstatohej që autoriteteve kosovare u ka mbetur në dispozicion vetëm rruga logjore për krijimin e Ushtrisë.