Hapi i radhës i SHBA’së, presioni mbi Serbinë për njohjen e Kosovës

Veprimet e fundit të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duket se kanë shuar të gjitha shpresat se politika amerikane në raport me Kosovën, do të ndryshojë

Megjithatë, analistët serbë thonë, se fakti që shpresa serbe është shuar, nuk është sfida më e madhe që ata i pret, përcjellë gazetametro.net.

Nga eufori, në zhgënjim. Kështu mund të përshkruhet atmosfera në Serbi, në lidhje me zgjedhjen e Donald Trump president të 45’të i SHBA’së.

Opiniioni në Serbi kishte krijuar besimin se Trump do të ua kthente Kosovën. Megjithatë, çdo hap që presidenti i ri amerikan, dhe personat e administratës së tij e kanë bërë, mund të interpretohet si shuplaka ndaj Serbisë. Por, mediat serbe shkruajnë, se ky duket të mos jetë fundi. Ajo që po vijon, thonë analistët serbë, mund t’i dhëmb edhe më shumë Serbisë

Në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar në Serbi u mirëpritën me entuziazëm rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Serbët aq shumë urrenin familjen Clinton, dhe nuk donin që një pjestar i saj të jetë në krye të vendit më të fuqishëm në botë. Ata u entuziazmuan se në krye të SHBA’së po vinte një president, mik me Putinin, që do të ua kthente Kosovën.

Ky entuziazëm u shoqërua edhe me parulla e mbishkrime mbështetëse si ato “Trump është serb”. Dhe pastaj, u shokuan me veprimet e njëpasnjëshme.

I pari ishte sekretari i ri i Mbrojtjes James Matis i cili tha se reduktimi i forcave ushtarake amerikane do të ndodhë vetëm atëherë kur Forca Ushtarake e Kosovës të jetë e gatshëme të marrë përgjegjësi për ta mbrojtur vendin.

Në linjë të njejtë, ishte edhe urimi i Trump për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, që i dërgoi homologut të tij kosovar Hashim Thaçi. E më pas edhe ambasadorja e re amerikane në OKB, Niki Haley, e cila tha se Kosova e meriton të marrë vendin që i takon në bashkësinë ndërkombëtare, përfshirë edhe anëtarësim të plotë në OKB.

E ‘qershira mbi tortë’ sipas mediave serbe, ishte kur Trump ‘grushtoi’ personalisht serbët, duke u takuar në Uashington me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, takim që u konfirmua nga një foto e postuar në Facebook, nga ky i fundit.

Duket se të gjitha këto lëvizje kanë shuar shpresat e Serbisë për një ndryshim në politikën amerikane ndaj Kosovës. Megjithatë, analistët serbë thonë se i pret edhe një sfidë më e madhe se sa këto.

Drejtori i Qendrës për Alternativa Strategjike, Dusan Prorokovic, thotë se politika e jashtme amerikane e udhëhequr nga Trump, po vepron në bazë të strategjive shtetërore të miratuara më parë.

Dusan Prorokovic

Ai vë në dukje se presidenti i SHBA’së nuk e ndryshon vendimin e Kongresit dhe Senatit, dhe ato vendime që paraardhësit e tij i kanë ndërmarrë në 25 vitet e kaluara.

“Nëse ai do të donte të bënte ndryshime, sërish do të duhej kohë. Unë nuk pres ndonjë ndryshim në politikën e Trump ndaj Kosovës, sepse kjo tashmë është një çështje periferike në Uashington”

Njejtë mendon edhe drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dusan Janjic, i cili thotë se njerëzit nuk janë të vetëdijshëm se presidenti amerikan, kushdo qoftë ai, nuk mund të ndryshojë strategjinë kombëtare.

Janjic mendon se Tramp dhe administrata e tij do të insistojnë të përmbyllin çështjen e formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Shqetësim të njejtë me Janjic ndanë edhe Milovan Drecun, kryetar i Komisionit Parlamentar për Kosovën.

Ai për Telegrafin serb ka thënë se veprimet e Tramp dhe të bashkëpunëtorëve të tij më të afërt tregojnë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të insistojnë në njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ata shkuan një hap më tej, për fat të keq. Ata duket se po përgatiten për një ofensivë politike kundër Serbisë dhe të gjitha vendeve që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, për të shtyrë antarësimi e Kosovës në OKB”, ka thënë Drecun.

Ai paralajmëron se hapi i radhës i administratës Trump do të jetë rritja e presionit ndaj Serbisë, për ta njohur Kosovën, dhe hapja e dyerve që ajo të pranohet në OKB.

Drecun ka shtuar se amerikanët e dinin se Kosova është një çështje e ndjeshme për ta, por sipas tij, Trump tani është duke shkuar një hap më tej.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme