Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), mbrëmjen e kaluar përcaktuan qershorin e vitit 2019 si datë të mundshme për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, të kushtëzuar me përparimin e saj në disa fusha.
Këtë disa e quajtën si shtyrje të datës për hapjen e negociatave, mirëpo ndaj kësaj është përgjigjur sot kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përcjell KosovaPress.
Sipas Ramës, ka pasur hedhje të gurëve dhe akuzave “për një dështim imagjinar në Evropë”.
Përveç Shqipërisë, edhe Maqedonia ka marrë datë të kushtëzuar për hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Vendet anëtare të Bashkimit Evropian konfirmuan se dy vendet nisin bisedimet për anëtarësim në qershor të vitit 2019. Deri atëherë Komisioni Evropian është i obliguar ta përgatisë terrenin për çeljen e negociatave, ndërsa vendet kandidate duhet t’i përmbushin të gjitha kushtet e kërkuara.