Ali ISMAILI
Koncepti qytetar ishte edhe ideologjia e Titos ku në Haraçinë për thyerjen e një korrinize me foton e Titos malltretohej i tërë fshati, kohërat kur dy policë Stanko dhe Sllobodani kontrollonin çdo gjë dhe ishin ankth i haraçinasve.
Haraçina në shekullin 21 ka nevojë për koncept modern, koncept i bazuar mbi vlera. Ka ardhur koha kur populli shqiptar do të kërkojë me këmbëngulje hisen që i takon. Është koha e fundit kur detyrimisht si e drejtë që u takon haraçinasit të marrin përgjigje për zgjidhjen e problemeve në infrastrukturë, shërbime shëndetësore, shërbime administrative e jo të shantazhohen e kërcënohen me votë.
Për “romantikët” e kohës së Titos, kemi një përgjigje – ato ëndrra janë kufoma të kalbura të sistemeve të kaluara ku shqiptarët ishin ata që paguan më së shtrenjti, e jo rastësisht, tani në kohën e zhvillimit teknologjik, ende shpojmë puse për t’u furnizuar me ujë, ende fëmijët tanë janë larg shkollimit me metodat më bashkëkohore.
Maqedonia i ka shumë borxh Haraçinës. Nga kjo Haraçinë e harruar tërësisht nga pushteti u ndërtuan institucionet e këtij vendi dhe atë që nga viti 1990 kur kishte deputet nga kjo komunë.
Viti 2001 ishte edhe më i dhembshëm e tmerrshëm. Në pushtet ishte pikurisht partia që sot prezantohet si “reformatore” kur Haraçina thuajse u dogj me themel, ndërsa ky shtet nuk e dha asnjë qindarkë për rindërtimin e saj. Haraçina u tradhtua edhe nga ata që u munduan ta përvetësojnë meritën e luftës së vitit 2001. Madje, kjo ishte tradhti edhe më e poshtër sepse bëhej nga ata që flisnin dhe luteshin me të njëjtën gjuhë, e siç u pa gjatë gjithë këtyre viteve doli se punojnë për pushtetarët maqedonas.
Sot, pushtetarëve maqedonas iu themi se kurrë nuk i kemi harruar të bëmat e juaja. Se haraçinasit mbajnë në mend edhe persekutimet e djeshme, edhe kushtëzimet e sotshme. Sot u themi haptazi se haraçinasit nuk janë më pa rrugë dhe në duart e pushtetarëve shqiptarë të korruptuar e të mbajtur peng, pikërisht nga “padronët maqedonas” që sot përpiqen të paraqiten si shpëtimtarë.
Në Haraçinë ka BESË.
Haraçinës me ndihmën e Zotit do t’i japim jetë.