Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) më 1 shtator do të jetë në Kuvend. Kjo parti do të angazhohet që të bindë deputetët që mos ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.
Mirëpo, AAK-ja nuk do të merr pjesë në protestën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.
Kështu ka thënë Daut Haradinaj, deputet i AAK-së në një intervistë për lajmi.net. Sipas tij, qeveria nuk i ka numrat për ratifikim dhe se deputetët nuk kanë vullnet për të ratifikuar një marrëveshje që i humb territor Kosovës.
Sa i përket protestave Haradinaj ka thënë se më 14 maj është dëshmuar se qytetarët janë kundër kësaj marrëveshje dhe beson se edhe deputetët e pozitës dhe opozitës do të votojnë kundër.
“Kundërshtimin e kemi bërë tashmë një vit e gjysmë, çdo kundërshtim i joni ka qenë që të nxisë opinionin gjë që mendoj se e kemi arritur, dhe kjo marrëveshje tash është në duart e deputetëve, dhe besojë shumë që edhe deputetët e opozitës dhe pozitës do të jenë unik në kundërshtim të kësaj marrëveshje. Do të shihet veprimet e mëtutjeshme, megjithatë kjo marrëveshje nuk kalon, sepse qeveria nuk i ka numrat, deputetët nuk kanë vullnet të votojnë për humbje të territorit. …Nuk e di unë çfarë bënë Vetëvendosje, është e drejtë e tyre, e drejtë e qytetarëve me protestu. Ne e kemi dëshmuar më 14 maj, por edhe populli i Kosovës e ka dëshmuar se është kundër kësaj marrëveshje dhe jam i bindur se e kanë kuptuar, dhe besoj shumë se ata deputet të cilët janë kanë pjesë e luftës, nuk po dua me linqu askënd, nuk besoj se do të koriten kësaj radhe dhe ta përbuzin edhe atë kontribut që e kanë dhënë”, ka thënë Haradinaj.