Haradinaj shprehu falënderimin për kontributin, përkrahjen, ndihmën dhe donacionet e dobishme që kanë dhënë, qeveritë dhe donatorët e ndryshëm të vendeve mike të Kosovës. Këto ndihma për Kosovën dhe popullin e saj, kanë ardhur në kohëra të vështira dhe për këtë arsye janë të rëndësishme dhe të veçanta.
“Fal një përkrahje gjeneroze që ka ardhur në vazhdimësi, nga viti në vit, Kosova nuk është ndjerë e lënë vetëm”, tha kryeministri Haradinaj.
Haradinaj tha se fal punës së përbashkët me Unionin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe vendeve tjera mike, donacionet kanë qenë gjeneroze dhe vazhdojnë të jenë. Kosova sot qëndron më mirë, dhe për këtë kemi marrë obligime që të ndërtojmë një shoqëri të avancuar, demokratike që respekton të gjithë qytetarët e vendit dhe e përgjegjshme në menaxhimin e parasë publike dhe të donacioneve.
Duke folur rreth bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare kryeministri Haradinaj tha se Qeveria e Kosovës do të jetë partnere e mirëfilltë dhe do ta rris përgjegjësinë e vet në menaxhimin e parasë publike dhe të donacioneve në Kosovë, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit.
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, falënderoi donatorët për kontributin e vazhdueshëm të tyre në zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Hoxha, para të pranishmëve paraqiti Raportin vjetor të donacioneve për vitin 2016, duke theksuar se vetëm gjatë vitit 2016 asistenca financiare ka qenë 164 milionë euro, derisa donatorët kryesorë kanë mbetur të pandryshuar, SHBA, BE-ja, Zvicra, Gjermania, etj./Lajmi.net/