Sipas kryeministres së Serbisë, kanë mjaftuar dy minuta në Londër për t’ia dhënë një mësim të shkurtër Kryeministrit të Kosovës. Ana Brnabiq ka thënë se i ka kujtuar Haradinaj “agresivitetin”, ndërsa mediat serbe po raportonin se ai i ka kërkuar falje Brnabiqit. Zyra e Kryeministrit thonë se nuk e dinë çka foli shefi i tyre me homologen e tij serbe.
Brnabiq ka dhënë versionin e saj menjëherë mediave serbe se çka ka diskutuar me Haradinajn në samitin e Ballkanit Perëndimor në Londër.
Kryeministrja serbe tha se ia ka bërë të ditur Haradinajt se nuk mund të vazhdojnë me ‘sjellje agresive’ ndaj serbëve.
Ajo kishte zënë shkas te ndalimit dhe bastisjes së shtëpive, të gjashtë serbëve në Anamoravë, të cilët akuzoheshin se po i bëjnë presion pjesëtareve serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Gazeta Express është interesuar të mësoj nga Zyra e Haradinajt se cka kanë folur shefat e dy qeverive në Londër ku i preku tensioni që u krijua pasi Policia e Kosovës dërgoi në mbajtje për disa orë serbët.
Zyrtarë të Qeverisë thonë se nuk e dinë çfarë ka diskutuar shefi i tyre me Brnabiqin, pasi ai nuk ka ndarë me njerëzit rreth tij informata nga takimi i shkurtër me kryeministren serbe.
“Çka kanë folë e dinë veç Kryeministri, nuk është se e ka nda me ne”, ka thënë një nga zyrtarët e Qeverisë.
Mediat në Serbi para dy ditëve raportuan se Haradinaj i ka kërkuar falje dy herë Brnabiqit, ndërsa i ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar për arrestimin e serbëve në Anamoravë.
“I thashë atij të shoh se presionet dhe sulmet ndaj serbëve vazhdojnë. E shoh që ju keni vazhduar me praktikën e arrestimit të serbëve. Kjo ishte vetëm një deklaratë. Nuk kemi asgjë për t’i thënë njëri-tjetrit”, ka thënë Brnabiq.