Haradinaj flet për FSK’në, tregon çka do të bëjë për ta kthyer në ushtri

Kryeministri, Ramush Haradinaj ka uruar Forcën e Sigurisë së Kosovës, në prag të festës së kësaj force.

Ai përmes një teksti në Facebook ka thënë se në vijim do të intensifikohen përpjekjet për të arritur transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura.

Ky është teksti i plotë:

“Në prag të “Ditës së Forcës”, Qeveria e Republikës së Kosovës është e bindur dhe krenare për arritjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Rruga e ndjekur e institucionit dhe pjesëtarëve të FSK-së është rrugë e bazuar në përkushtim, sakrificë dhe ndershmëri.

Sot, FSK është profesionale, multi-etnike, si dhe e trajnuar mbi standardet dhe parimet demokratike të forcave të sigurisë.

Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK) është proces që garanton sigurinë e të gjithë qytetarëve të Kosovës, gjitha komuniteteve, si dhe kontribuon në sigurinë rajonale.

Procesi do të jetë një sukses i garantuar dhe i sigurt, me përfshirje maksimale të të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Suksesi në integrimin e komuniteteve jo-shumicë në FSK është plotësisht i dukshëm: në total, 10.07 për qind e pjesëtarëve të FSK-së janë nga komunitetet jo-shumicë, ndërsa nga komuniteti serb janë 4.2 për qind e pjesëtarëve të FSK-së.

Forcat e Armatosura të Kosovës do të kenë këtë mënyrë të përfshirjes së komuniteteve, me synimin e rritjes së numrit të tyre.

Në periudhën në vijim, do të intensifikojmë përpjekjet gjithëpërfshirëse për të arritur transformimin në Forca të Armatosura.

I uroj pjesëtarët e FSK-së dhe të gjithë qytetarët e Kosovës për “Ditën e Forcës”, duke qenë i bindur se Kosova do të thellojë kontributin e vet në sigurinë rajonale dhe me gjerë”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme