Haradinaj fton në konsultime për Qeverinë e re Vetëvendosjen dhe LDK-në

Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër i koalicionit PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma) u ka bërë thirrje partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës, që t’i nisin konsultimet për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Ai ka ftuar edhe Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekti i dytë i dalë nga zgjedhjet që të diskutojnë, ndonëse kjo e dyta ka dalë me qëndrimin se Vetëvendosje do ta formojë Qeverinë e ardhshme.

Nisur nga e drejta kushtetuese që i jep koalicionit PAN si fitues e zgjedhjeve, të drejtën për formimin e Qeverisë, Haradinaj ka ftuar edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, Listën Serbe dhe subjektet tjera joserbe që të bisedojnë dhe në afatin, sipas tij, sa më të shkurtë kohorë të formojnë koalicionin e ardhshëm qeverisës.

Për të martën, Haradinaj ka ftuar në takime të ndara kryetarin e Vetëvendosjes, Visar Ymerin dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Takimet konsultative, sipas tij, do të mbahen në Kuvendin e Kosovës.

Haradinaj ka deklaruar se do të angazhohet për krijimin e një Qeverie me bazë sa më të gjerë, në mënyrë që funksionimi i saj të jetë më i lehtë dhe më efikas.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit me çka është hapur mundësia që brenda një muaji, të konstituohet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës.

Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj duhet që brenda 15 ditëve të bëjë propozimin e tij për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Ai pritet që mandatin për kryeministër ta marrë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme