Zyra e Kryeministrit gjatë këtyre dy muajve është hapur edhe për të dyshuar për dëme që i kanë shkaktuar shtetit të Kosovës miliona euro. Mehmet Prishtina është njëri prej tyre. Ai është i akuzuar se përvetësoi mbi 36 milion euro toka të shtetit në Prishtinë.
Prej ardhjes në krye të Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka hapur dyert për të dyshuar, e të akuzuar për krim të organizuar.
Mes tyre, Mehmet Prishtina – i akuzuar për krim të organizuar, e shpëlarje parash. Prishtina mes tjerash akuzohet se është prezantuar rrejshëm si stërnip i Hasan Prishtinës, pa pasur lidhje gjaku me të.
Kryeministri Haradinaj, ka pritur në zyrën e tij Prishtinën me 14 tetor të këtij viti. Nuk dihet se në çfarë cilësie e ka pritur e as për çfarë është diskutuar në takim.
Insajderi ka pyetur Zyrën e Kryeministrit se për çfarë arsye është takuar me Mehmet Prishtinën, por nuk ka marrë përgjigje për këtë çështje. Zyra e Kryeministrit nuk është përgjigjur nëse paraprakisht bëhen verifikime të mysafirëve para takimit me Haradinajn.
Takimin me Haradinajn, e ka bërë publik vetë Prishtina në një postim në Instagram, duke publikuar edhe fotografi nga takimi.
Prishtina është i akuzuar për dallavere me 36 hektar tokë të shtetit në Prishtinë. Ai është në proces të hapur gjyqësor së bashku me dhjetëra persona tjerë.
Insajderi kishte raportuar kohë më parë se si mbi 36 hektarë tokë të shtetit e tjetërsuar në mënyrë të paligjshme, kishte përfunduar në pronësi të një grupi biznesmenësh e individësh, disa prej të cilëve janë të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës.
Këto toka që shtrihen në Çagllavicë, pasi janë përvetësuar me anë të mashtrimeve dhe vendimeve të kundërligjshme gjyqësore, janë blerë nga pronarë të rinj me çmime që shkojnë nga 36 cent deri në 10 euro për metër katrorë.
Çmimi më i lartë për një arë truall ka shkuar deri në 1 mijë euro, derisa çmimet reale në atë pjesë sillen nga 10 mijë deri në 20 mijë euro për një arë.
Aktakuza e ngritur disa muaj më parë ka të bëjë me krim të organizuar, shpërdorim të pozitës zyrtare, shpëlarje parash, nxjerrje e kundërligjshme e vendimeve gjyqësore, falsifikim i dokumenteve zyrtare.
Gazeta online Insajderi kishte siguruar aktakuzën prej 120 faqesh të ngritur nga prokurori i EULEX-it, Danilo Ceccarelli.
Në krye të të akuzuarve është ish-gjyqtarja e Gjykatës Komunale të Prishtinës, Naxharije Hoti, ndjekur nga biznesmeni Mehmet Prishtina e Dukagjin Emerllahu.
I akuzuar është edhe Reshat Fetahu, shef i departamentit ligjor në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Gani Ademi – këshilltar ligjor në Departamentin ligjor në AKP, Avni Maxhuni -avokat, Isak Ademi – noter, Shqipe Maxhuni, Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Ibrahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Albion Maloku, Lirim Zeka, Agim Jerliu, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani.
Sipas aktakuzës, Dukagjin Emerllahu kishte paditur AKP-në duke kërkuar pronësinë për 11 hektar tokë që i kishte marrë me qira nga ndërmarrja “KBI – Kosova Export”. Dhoma e Posaçme ia kishte hedhur poshtë padinë dhe pretendimin e pronësisë. Emerllahu e kishte bërë padinë në Gjykatën Komunale.
Gjyqtarja Naxharije Hoti, në kundërshtim me ligjin ia kishte njohur pronësinë për 36 hektarë, e jo 11 sa pretendonte ai. Bazuar në aktakuzë, grupi i cilësuar si kriminal ishte kujdesur që AKP-ja të humb afatin e ankesës. Aktgjykimi i ishte dërguar një zyrtareje në AKP që dyshohet se kontrollohej nga Mehmet Prishtina. Fletëdorëzimi ishte vulosur me vulë fals të AKP-së. Kur AKP ishte ankuar se nuk ka aktgjykim, grupi ia kishte prezantuar fletëdorëzimin me vulë fals, duke pretenduar se AKP-ja e ka marrë vendimin e Gjykatës, por nuk ka bërë ankesë.
Në këtë mënyrë, aktgjykimi ka marrë formën e prerë. Ndërkohë, toka e shtetit është shitur me çmime qesharake.
Ish-gjyqtarja Naxharije Hoti akuzohet se ka peshën kryesore që kjo tokë e shtetit të tjetërsohet në këtë mënyrë. Falë një aktgjykimi të saj toka është bartur tek pronari privat. Gjyqtarja madje kishte vendosur përtej padisë së paditësit, Dukagjin Emerllahu. Ai kishte kërkuar vetëm 11 hektarë tokë të “KBI Kosova Export” që i kishte shfrytëzuar me qira. Pa kërkesën e tij, gjyqtarja akuzohet se me vendim të kundërligjshëm ia ka dhënë 36.45 hektar.
Me këtë veprim akuzohet se ka kryer veprën penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore.
“Me vendimin në dobi për pjesëtarët e grupit kriminal dhe me dashje për t’i shkaktuar dëm Republikës së Kosovës të përfaqësuar nga ndërmarra shoqërore “KBI Kosova Export” dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e pandehura ka nxjerr vendim të paligjshëm me 27 shtator të vitit 2010 me të cilin është aprovuar padia civile e paditësit Dukagjin Emerllahu”, thuhet në aktakuzë.
Emerllahu akuzohet se ka vepruar si bashkëpunëtor i Mehmet Prishtinës për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarësh që kanë qenë në posedim të tyre– me qira.
Prokuroria thotë se aktgjykimi ka qenë në kundërshtim me parimin ‘res juridica’ sepse për të njëjtin rast tashmë kishte vendosur Dhoma e Posaçme e UNMIK-ut më 30 nëntor të vitit 2009 me anë të një aktgjykimi të formës së prerë i cili ka qenë i detyrueshëm ligjërisht dhe pa të drejtë ankese.
Me të është përcaktuar se paditësi, Dukagjin Emerllahu nuk ka pasur as të drejta pronësore, e as të drejta për përdorim të përhershëm të tokës.
Por, gjyqtarja Hoti e ka pranuar Dukagjin Emerllahun si paditës, çfarë ka qenë në kundërshtim me parimet themelore të Kodit të Procedurës Civile, sepse nuk ka qenë palë kontraktuese e kontratës së qiradhënies në fuqi në të cilën ishte bazuar padia dhe e cila është lidhur me 8 tetor 2004 midis ndërmarrjes shoqërore “KBI Kosova- Export” dhe kompanisë “Agroni DTV”.
“Kështu që Dukagjin Emerllahu nuk ka mundur të jetë palë legjitime”, thotë Prokuroria.
Gjyqtarja përveç që i bëri favor Emërllahut, bazuar në aktakuzë, kishte vendosur që të përjashtonte një pretendues të një pjese të pronës 35 hektarësh.
Gjyqtarja nuk i ka lejuar anëtarët e familjes Laziq të përfaqësuar nga Predrag Laziq që të ndërhynin si paditës, ndonëse kanë pasur interesim të kufizuar si pronar të ngastrave me sipërfaqe prej 3.5 hektar të përfshirë në këtë rast.
“Gjatë seancës së mbajtur më 27 shtator 2010 ajo ka refuzuar ndërhyrjen e tyre dhe i ka përjashtuar nga rasti në kundërshtim me ligjin për procedurën kontestimore”.
Po ashtu aktgjykimi është marrë pasi e paditura – AKP-ja e ka kundërshtuar një aktvendim të mëparshëm të gjyqtares Naxharije Hoti me të cilin ishin shqiptuar masa të sigurisë dhe ka kundërshtuar kompetencën e saj, atë gjersa vendimet për këtë kërkesë kanë qenë ende në pritje. “Konkretisht, AKP-ja ka ushtruar ankesë më datën 14.09.2010 kundër aktvendimit të datës 16.07.2012 me të cilin ishin shqiptuar masat e sigurisë ndaj 51 ngastrave kadastrale me sipërfaqe prej 38 hektarësh dhe ka kërkuar më 15. 09. 2010 që Dhoma e Posaçme të merrte përsipër këtë lëndë”, akuzon Prokuroria.
Me aktgjykimin e saj, gjyqtarja ka vërtetuar në mënyrë të paligjshme se paditësi, qiramarrësi Dukagjin Emerllahu ka pasur të drejta pronësore mbi një tokë shoqërore pa përfillur faktin se kjo kontratë ia ka lejuar atij vetëm përdorimin e përkohshëm të tokës së marrë me qira, por jo edhe pronësinë apo të drejtën për përdorim të përhershëm të saj siç kishte vendosur tashmë Dhoma e Posaçme më 30 nëntor 2006.
“Në aktgjykim është vërtetuar në mënyrë të paligjshme bartja e tokës shoqërore në dobi të paditësit Dukagjin Emerllahu dhe në kundërshtim me Rregulloret e UNMIK-ut për Agjencinë Kosovare të Privatizimit dhe ligjin për qarkullimin e pasurive të paluajtshme”, thuhet në aktakuzë.
Po ashtu pretendohet se mënyrë të paligjshme i janë dhënë të drejtat pronësore paditësit Dukagjin Emerllahu mbi një sipërfaqe prej 36. 45 hektarë të tokës shoqërore, me gjithë faktin se ai ka kërkuar pronësi vetëm për 11 hektarë që janë radhitur në kontratën e qiradhënies. “Prandaj aktvendimi është ‘ultra petita’ – në kundërshtim me parimin themelor të Ligjit për procedurën kontestimore”.
Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu dhe Naxharije Hoti akuzohen për veprën penale të krimit të organizuar. Kreu i grupit besohet se është Mehmet Prishtina. Ai pretendohet se ka organizator, mbikëqyrë dhe menaxhuar aktivitetet e këtij grupi kriminal të organizuar i cili, sipas Prokurorisë, ka marrë pjesë aktive në veprat penale kryesore.
“Ka bashkërenduar aktivitetet kriminale dhe u ka dhënë urdhra dhe udhëzime pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi të organizuar kriminal dhe të pandehurve të tjerë që kanë bashkëpunuar sipas këtyre urdhrave”, pretendon Prokuroria.
“Naxharije Hoti si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar për të gjykuar në dobi të Dukagjin Emerllahut, ka vepruar si figurë e Mehmet Prishtinës përmes një vendimi gjyqësor të paligjshëm që ajo ka marrë më 27 shtator 2010 për të bashkëpunuar me pjesëtarët tjerë të këtij grupi kriminal dhe për të siguruar që vendimi të mos ankimohej dhe të marrë formën e prerë”.
Avni Maxhuni si person përgjegjës për gjetjen e blerësve potencial duke vepruar si ndërmjetësues, duke i përfaqësuar blerësit në disa marrëveshje dhe duke u hequr si avokat apo mbrojtës duke u ndihmuar pjesëtarëve të tjerë të këtij grupi posaçërisht Dukagjin Emerllahut gjatë procesit të shpëlarjes së parave dhe bartjes së ngastrave tek të tjerët, madje duke i blerë vetë dhe përmes gruas së tij, disa ngastra për tua bartur pastaj të tjerëve, duke e kryer kështu veprën penale.
Prishtina dhe Emerllahu akuzohen edhe për plaçkitje.
Prokuroria pretendon se Emerllahu midis 27 shtatorit 2010 dhe 6 dhjetorit 2013, duke e ditur se 36.45 hektarë të pronave shoqërore ishin fituar nga aktivitetet kriminale, përkatësisht se atij i ishin dhënë pronësia e këtyre pronave përmes aktiviteteve kriminale të gjyqtares Naxharie Hoti, ka nisur procedurat e shitjes së parcelave.
Para se të merrej aktgjykimi dhe menjëherë më pas, Emerllahu ka lidhur marrëveshje me Mehmet Prishtinën dhe me të tjerët për t’i bartur ngastrat shoqërore, ani se e ka ditur se pronësia do të jepej atij përmes aktgjykimit. Këto veprime janë kryer sipas Prokurorisë për të fshehur origjinen kriminale të parave.
Emerllahu ka deklaruar dhe bërë marrëveshje me datën 16 shkurt 2011 me Mehmet Prishtinën që t’ia transferojë atij tetë parcela me çmim artificialisht të ulët prej 10 euro për metër katrore.
Më 23 maj 2011, Emerllahu ka bërë marrëveshje tjetër me Mehmet Prishtinën në mënyrë që t’ia transferojë atij tetë parcela me çmim të ulët prej 8.5 euro metra katrore.
Tokat janë shitur nga 7 deri në 10 euro për metër katrorë. Më së liri i është shitur një parcelë Mehmet Prishtinës në vlerë prej 3 eurove metra katrore. Në një kontratë është vërtetuar se një metër katrore tokë është shitur për 36 cent. Një arë që kushton minimumi dhjetë mijë euro, sipas kësaj kontrate është shitur 36 euro.
Aktakuza shpjegon mënyrën se si Emerllahu kishte shfrytëzuar organet shtetërore për të realizuar këtë përfitim biznesor.
Dukagjin Emerllahu kishte ndjekur këtë çështje duke ushtruar një padi në Gjykatën Komunale të Prishtinës. Padinë e tij e ka parashtruar dy herë. Për shqyrtimin e padisë së parë, të ushtruar më 5 qershor 2008, ishte caktuar gjyqtari Selim Nikqi.
Nikqi i kishte shkruar AKP-së duke i kërkuar mendimin e tyre për këtë çështje. Emerllahu, kishte tërhequr padinë e parë. Kishte parashtruar të dytën e cila i ishte caktuar gjyqtares Naxharije Hoti.
Emerllahu kishte kërkuar që ‘ti jepej një sipërfaqe prej 11. 50. 11 hektarë, që janë pronë e ndërmarrjes shoqërore “KBI Kosova Export”.
Gjatë procedurës në Gjykatën Komunale më 17 korrik 2010 gjyqtarja Hoti kishte nxjerr një vendim për masa të përkohshme të sigurisë për 53 ngastra të tokës në sipërfaqe prej 44.2 hektarë. Më 7 shtator 2010 Hoti e ka ndryshuar edhe njëherë këtë vendim duke e shtuar edhe një ngastër tjetër.
AKP-ja kishte parashtruar ankesë.
Gjatë procedurës dhe para se të merrte vendim për rastin, gjyqtarja Naxharije Hoti i kishte lejuar Dukagjin Emerllahut dhe Mehmet Prishtinës që të jenë të pranishëm në zyrën e saj. Marrëveshjet ndërmjet tyre janë evidentuar nga dëshmitë e zbuluara gjatë kontrolleve të bëra në kompjuterët e tyre.
Në kompjuterin e gjyqtares Hoti është gjetur një kopje e kontratës së para shitjes ndërmjet Dukagjin Emerllahut dhe një pale të tretë lidhur me një ngastër toke, së bashku me dokumente të tjera siç janë një kopje e kërkesës së Emerllahut për caktimin e masave të sigurisë mbi ngastrat kadastrale.
“Kontrolli i një kompjuteri që i përket Mehmet Prishtinës ka gjetur një kopje të panënshkruar të aktgjykimit të përfunduar në rastin c.nr.724/2009”.
Më 15 tetor 2010 gjyqtarja Hoti i ka dhënë aktgjykimin shoferit të gjykatës, Vehap Hashanit duke i thënë që Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emerllahu gjendeshin jashtë zyrës së saj dhe po e prisnin atë.
Mehmet Prishtina dhe Dukagjin Emerllahu sipas aktakuzës, e kanë urdhëruar Vehap Hashanin që të hyjë në automjetin Opel me ngjyrë të bardhë, me të cilin Emerllahu dhe Prishtina e qojnë në restorant Rugova dhe e detyrojnë që aktgjykimin tua jepte atyre. Ky aktgjykim është dashur të dorëzohej në AKP.
Mehmet Prishtina, ndërkohë ka joshur Serpil Aliun me qëllim të shpërdorimit të pozitës zyrtare. Prishtina, po ashtu akuzohet se i ka paguar Reshat Fetahut – zyrtar në AKP, një operacion në spitalin “Sistina” në Shkup në vlerë prej mbi 10 mijë eurosh.
Prishtina, sipas Prokurorisë kishte detyruar Sepil Aliun që ta procedojë aktgjykimin në AKP duke e vendosur një datë të mëhershme në fletëdorëzim, pra 15 tetor 2010. Ata përdorën një vulë fals të AKP-së, ka konkluduar prokuroria.
Serpil Aliu, nënshkroi dy fletëdërgesa dhe përdori vulë të falsifikuar për të vërtetuar se dy kopjet autentike të aktgjykimit kishin mbërritur në AKP, më 15 tetor 2010.
Këto veprime e kanë penguar AKP-në në ankesë ndaj aktgjykimit të jashtëligjshëm.
Më 17 maj 2011 Gani Ademi, zyrtar i lartë ligjor në AKP, iu përgjigj një kërkese nga dhoma e posaçme e Gjykatës Supreme duke theksuar se AKP-ja nuk kishte informacione për ndonjë aktgjykim në rastin e tokës të Gjykatës Komunale në Prishtinë.
Më 17 maj, Dhoma e Posaçme kishte lëshuar një vendim ku e shpalli të papranueshme kërkesën e AKP-së për tërheqjen e rastit nga Gjykata Komunale. Vendimi i Dhomës pohon se gjykatës i është siguruar një kopje e aktgjykimit, e që tregon se është pranuar nga AKP-ja.
Mirëpo, AKP-ja nuk kishte aktgjykim. Atë e kishte Serlep Aliu që e mbante në zyrë. Më vonë e kishte grisur atë për shkak se ishte prishur me Mehmet Prishtinën.
Në fund të qershorit 2011, avokati i Dukagjin Emerllahut, Visar Vehapi kishte qenë në zyrat e AKP-së dhe i kishte dhënë Besim Asllanit një kopje të faqes së parë të aktgjykimit që ishte nënshkruar nga Serpil Aliu.
Por aktakuza tregon se Gani Ademi që gjurmonte këtë lëndë kishte përfunduar më pas duke i kryer shërbime biznesmenit Mehmet Prishtina.
Me ndikimin e Mehmet Prishtinës, Gani Ademi – zyrtar i AKP-së, ka thënë se AKP-ja ka marrë kopjen e aktgjykimit, në mënyrë që të konstatohet lëshimi i afatit për ankesë.
Prishtina ka pasur një takim të hënën edhe me Jahja Llukën, këshilltar politik i Haradinajt./Insajder