Haradinaj: I deleguari i Vatikanit për Kosovën vjen me lajme të mira për vendin tonë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur delegatin apostolik për Kosovën, Monsinjor Juliusz Janusz.

M këtë rast Haradinaj falënderoi përfaqësuesit e Vatikanit për takimin me Papa Françeskun gjatë vizitës në maj të këtij viti, duke e konsideruar si një prej vizitave më të rëndësishme gjatë mandatit të tij si kryeministër i vendit.

“Kosova është e bekuar që përgjatë shekujve ka pasur harmoni dhe tolerancë fetare ndërmjet komuniteteve dhe besimeve të ndryshme, të cilën po e kultivon edhe në ditët e sotme”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar mbështetjen e Vatikanit për të gjitha proceset zhvillimore dhe integruese të Republikës së Kosovës.

I deleguari i Vatikanit, i dhuroi Kryeministrit Haradinaj medalonin e Papa John Palit II dhe i përcolli letrën e Kardinalit Pietro Parolin, përmes së cilës, i shpreh falënderim Haradinajt për letrën drejtuar Shenjtërisë së Tij, Papa Françesku.

“I deleguari i Vatikanit për Kosovën vjen me lajme të mira për vendin tonë. Sekretari i shtetit, Shkëlqesia e Tij, Parolin, i është përgjigjur një letre dërguar Atit të Shenjtë, përmes së cilës shprehu gatishmërinë që dialogu ynë të vazhdojë në të ardhmen, duke rezultuar me fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona. Jam i bindur se kjo është shenjë e mirë dhe ne si Kosovë jemi të bekuar që kemi uratën dhe lutjet e Atit të Shenjtë për tërë popullin e vendit tonë”, tha kryeministri Haradinaj, pas takimit me delegatin apostolik për Kosovën, Juliusz Janusz.

Janusz, theksoi përkushtimin e Selisë së Shenjtë për thellimin e bashkëpunimit me Kosovën edhe në të ardhmen.

Haradinaj e ka nderuar Monsinjor Juliusz Janusz për rolin dhe kontributin e tij dhënë Kosovës, me medaljen e Skënderbeut.

Në takim ishte edhe Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme