Haradinaj aty theksoi përkushtimin dhe angazhimin e Kosovës në forumet dhe iniciativat e bashkëpunimit rajonal, me qëllim të arritjeve të standardeve të duhura për Kosovën dhe rajonin drejt integrimit të plotë drejt strukturave evropiane.
Ai falënderoi Slloveninë dhe Kryeministrin e saj ,Miro Cerar, për kryesimin e këtij viti të SEECP dhe për rolin lehtësues në forcimin e bashkëpunimit rajonal.
“Procesi i Bashkëpunimit i Evropës Juglindore i themeluar mbi parimet e vizionit për të ardhmen dhe për barazinë, po jep rezultate konkrete në procesin e përafrimit dhe integrimit të vendeve të Evropës Juglindore, duke ruajtur njëkohësisht vlerat e përbashkëta shoqërore, historike dhe gjeografike. Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj për marrëdhënie të mira me vendet fqinje, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe po vazhdon përpjekjet për të vendosur raporte të mira fqinjësore edhe me Serbinë. Kosova i përket familjes evropiane, familjes së vlerave perëndimore dhe në këtë rrugëtim nuk ka kthim prapa”, tha Kryeministri Haradinaj në fjalën e tij gjatë këtij samiti.
Kryeministri Haradinaj foli edhe për qëndrimet dhe angazhimet e shtetit të Kosovës për forcimin e bashkëpunimit dhe besimit rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabilitetin dhe sigurinë, marrëdhëniet e zgjeruara ekonomike, luftën kundër krimit të organizuar dhe luftën kundër terrorizmit.
“Kosova po e dëshmon përkushtimin e saj në ndërtimin e raporteve korrekte me fqinjët dhe vendet e Evropës Juglindore, duke qenë pjesë dhe kontribuar në nismat dhe angazhimet e përbashkëta, në të mirë të paqes dhe të ardhmes”, tha Kryeministri Haradinaj.
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) filloi në vitin 1996 në Sofje me synimin për të forcuar bashkëpunimin dhe besimin rajonal. Pjesëmarrës në SEECP janë: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Hungaria, Kosova, Maqedonia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Turqia dhe Sllovenia.