Këtë veprim kryeministri e cilësoi të guximshëm dhe lajm të mirë për Kosovën, për ekonominë dhe prodhuesin.
“Ky lajm i mirë vjen falë punës së jashtëzakonshme të ministrit të Financave, Bedri Hamza, të cilin e falënderoj për këtë punë, që iu është përgjigjur sipërmarrësve, prodhuesve, takime që i kemi mbajtur së bashku dhe bashkëpunimi me ta ka rezultuar tek këto të gjetura”, tha kryeministri Haradinaj.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se vendimet e marrura sot janë lajm dhe porosi e fuqishme për sipërmarrësit dhe për prodhuesit, duke theksuar se edhe në takim me zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim janë pajtuar që procedurat për financimin e autostradës së Dukagjinit, konkretisht pjesa e mbetur Kijevë-Zahaq, të përshpejtohet.
“Në fund të muajit nëntor do të kemi marrëveshje financiare të nënshkruar dhe me fillim të pranverës do të filloj ndërtimi i autostradës së Dukagjinit, e cila do të përmbyllet vitin që vjen. Kemi hapësirë të veprojmë në auto-rrugën për Gjakovë nga Klina, dhe vitin që vjen do të fillojmë me projekt”, tha kryeministri, duke potencuar se krejt këto janë kalkulime të qëndrueshme dhe me efekte ekonomike.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, theksoi se ky nuk do të jetë fundi i këtyre masave, por do të vazhdojmë në konsultim me komunitetin e biznesit, me asociacionet që e përfaqësojnë biznesin, shoqërinë civile, por edhe me idetë që vijnë nga opozita, të krijojmë një ambient të përshtatshëm për prodhuesit tanë, një ambient të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, krejt kjo që ne t’i adresojmë sfidat kryesore të vendit tonë. /Lajmi.net/