Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se veprimet e Listës Serbe për formimin e Asociacionit nuk kanë peshë ligjore, shkruan Periskopi.
Në Rubikon të KTV’së, kryeministri Haradinaj e ka quajtur të gabuar qasjen e Listës Serbe për ultimatum deri më 20 prill, lidhur me formimin e Asociacionit.
“Veprimet e tyre janë të jashtëligjshme. Ne do të shohim me protokolle se çfarë thuhet për rastet kur shkelet ligji. Nuk po them tani se do të arrestohen ata që do ta formojnë. Ata duhet të punojnë bashkë me ne për integrimin e serbëve të Kosovës”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Ai edhe njëherë tregoi se nuk është marrë fare me Asociacionin, ndonëse po paralajmërohet formimi i tij në prill/
“Nuk kam pasur kohë të merrem me këtë çështje, sepse jam marrë me çështje të tjera të rëndësishme, siç është lufta kundër krimit e korrupsionit”, shtoi i pari i Ekzekutivit.
“Nuk e kam lexuar. Nuk kam pasur rast të merrem me këtë temë tani. Nuk e di çfarë përmban”, përfundoi ai.
Tutje, kryeministri tha se Kosova ekziston dhe se nuk mund të zhbëhet për askënd.
“Nuk munden me ultimatume e pazare të imëta me na shantazhu. Janë logjikë e gabuar. Dy popujt duhet të bien dakord për shumë çështje. Të mos mbesin peng i të kaluarës. Ta njohim njëri tjetrin si shtet, e të vlerësohen vlerat e dy vendeve, e të ecim përpara. Duhet të përmbyllet me njohje të Kosovës nga Serbia”, tha Haradinaj tutje./Periskopi