Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ditën e nesërme ose më së voni të pasnesërme do të ftohet seanca e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.
Një gjë të tillë Haradinaj, e ka bërë të ditur në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë ku u miratua kërkesa e drejtuar Kuvendit për tërheqjen e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, me qëllim që Projektligji t’i bashkëngjitet edhe deklarata e arritur mes presidentëve të të dyja shteteve.
“Nuk kemi kohë për të humbur. Nesër ose më së voni pasnesër do të ftohet seanca për ratifikimin e demarakcionit. Pasnesër gjithqysh, por nesër janë gjasat më të mëdha që ajo të ndodh. Ne do të procedojmë në Kuvend ligjin për ratifkim dhe dokumentet përcjellëse”, tha Haradinaj.
Ndryshe, burime të “Gazeta Blic” brenda koalicionit qeverisës kanë bërë të ditur se janë duke bërë përpjekje që të sigurojnë shumicën e votave.
“Grupet Parlamentare janë duke u koordinuar që të sigurohen 82 ose 83 vota, në atë mënyrë që të hyjmë të sigurtë në këtë proces”, tha ky burim i mirëinformuar.